Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Blinken: Armëpushimi është tani në dorën e Hamasit

Blinken: Armëpushimi është tani në dorën e Hamasit

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se është në dorë të Hamasit të bjerë dakord për arritjen e një armëpushimi që do të lejonte futjen e një sasie më të madhe të ndihmave humanitare në Gazë dhe t’i hapte rrugë bisedimeve për një “zgjidhje të qëndrueshme” konfliktit.

Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për mospajtimin rreth një marrëveshjeje e cila do të kërkonte nga grupi militant të lirojë disa nga pengjet që ende i mban në këmbim të një armëpushimi 40 ditësh. Të burgosurit palestinezë në Izrael po ashtu do të liroheshin.

Para takimit me Ministrin e jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, Sekretari Blinken ende po nxiste palët për arritjen e një armëpushimi.

“Çështja është Hamasi. Çështja është a do të vendosë Hamasi që të ketë apo jo armëpushim për të mirën e të gjithëve”, deklaroi Blinken.

“Topi është në fushën e tyre. Ne po punojmë me intensitet dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë ata.”

Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se mbi 30,000 palestinezë janë vrarë që kur Izraeli e filloi fushatën ushtarake si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor në pjesën jugore të Izraelit, gjatë të cilit Izraeli thotë se u vranë 1,200 njerëz dhe u rrëmbyen 253 të tjerë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress