Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Kurti në Ditën e Gruas: Synimi i qeverisë për barazi e drejtësi nuk ka alternativë

​Kurti në Ditën e Gruas: Synimi i qeverisë për barazi e drejtësi nuk ka alternativë

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Grave, është përmendur kauza e përbashkët e grave dhe vajzave që kanë kontribuar në ndërtimin e paqes, ndërtimin e institucioneve dhe demokracisë së vendit.

Kryeministri Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka thënë se synimi i Qeverisë së Kosovës për barazi e drejtësi nuk ka alternativë.

Prandaj është shprehur se janë bashkë në përpjekjet për luftën për barazi.

Kurti: Politikat feministe po e ruajnë dhe përparojnë demokracinë

“Synimi jonë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Politikat feministe po e ruajnë dhe përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike sepse tash nuk ka dyshime se këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është shteti që punojmë për çdo ditë. Demokrat po, por edhe feminist gjithsesi”, tha Kurti.

I pari i vendit ka përmendur shtesat për lehona dhe fëmijë, skema nga të cilat sipas tij janë përfituese rreth 40 mijë lehona dhe rreth 400 mijë fëmijë. Derisa sipas Kurtit mbi 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë.

Kurti: Fuqizimi i pozitës së grave, njëra nga ndryshimet thelbësore të qeverisë

“Qeveria jonë ka qenë e përkushtuar që ndryshimin për barazi sociale ta nis edhe në sektorët e publikes me strategji specifike për përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve tona. Fuqizimi i pozitës së grave në shoqëri, veçanërisht fuqizimi i pozitës ekonomike të saj është njëra ndër ndryshimet thelbësore që qeveria jonë ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përmendur se sipas parashikimeve të Bankës Botërore, Kosova në vitin 2024 pritet ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon.

Ai u zotua se do tu japin shtysë projekteve zhvillimore dhe mbështetjes sociale për jetesën e mirë dhe barazinë në republikë demokratike.

Kurti: Në QKUK për herë të parë mund të bëhet rikonstruktimi i gjirit

Në QKUK për herë të parë mund të bëhet rikonstruktimi i gjirit për gratë që e kanë mposhtur kancerin e gjirit ndërkaq mamografia si masë parandaluese dhe diagnostifikuese është falas për të gjitha qytetaret e republikës. Për herë të parë ofrohet vaksina kundër HPV-së për grupmoshën e caktuar si parandalues kundër kancerit të qafës së mitrës ndërkaq pajisjet për fertilizim të asistuar tashmë janë gati të funksionalizohen në QKUK”, shtoi Kurti.

Gjatë konferencës së organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, u tha se sot shënohet 20-vjetori i ligjit të parë për barazi gjinore.

Ndërsa U.D. Drejtoreshës Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia ka falënderuar dhe shprehur mirënjohje ndaj të gjitha grave dhe vajzave kosovare pa dallim etnie që kontribuuan në ekonominë e vendit, në skemën politike e publike, në administratë, ndërmarrësi dhe në përpjekje të përhershme për ta balancuar jetën profesionale dhe atë private.

/TV Arbëria

Powered by WordPress