Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > “Origjina” tragjike e feminizmit

“Origjina” tragjike e feminizmit

Shkruan: Afrim Kasolli- Sa herë vjen 8 marsi vetvetiu ma pushton mendjen figura artistike e Antigonës. Një sërë pyetjesh dhe dilemash më imponohen mbi atë se çka përfaqëson kjo heroinë tragjike në veprën e Sofokliut.

A mund të gjenden në aksionet e saj aktet e para të rebelimit feminist? Apo thjesht veprimet e saj ishin vetëm shprehje e obligimit të paracaktuar për të mbrojtur nderin e familjes?

Në këtë drejtim, që ka për synim zgjerimin e imagjinatës dhe horizontet e betejës feministe, mbase nuk është e rastësishme që shumë nga teoricienet e spikatura të këtij mendimi sikur se, Luce Irigaray, apo Judith Butler i janë rikthyer veçanërisht kësaj vepre tragjike antike.

E para në një sërë punimesh që mund të gjenden në veprën “Ethics of Sexual Difference” ka treguar se si te Antigona e Sofokliut, mund të vërehen disa prej impulseve të para të rebelimit feminist. Madje këtë vepër, pohon Luce Irigaray, nuk duhet ta lexojmë ashtu siç e ka interpretuar Hegeli: si konflikt ndërmjet dy të drejtave, atë të shtetit që përfaqësohet nga Kreoni, i cili vendos që trupi i vdekur i Polinisit të shndërrohet në ushqim për korbat duke ia mohuar të drejtën e varrimit, dhe refuzimit të Antigonës për t’iu bindur këtij dekreti për të mbrojtur të drejtën e familjes, sepse siç dihet, kufoma ishte vëllai i heroinës tragjike.

Por, në thesaret e kësaj drame gjenden të pleksura parimet e revoltës së “femintetit kundër rregullave të etatizmit dhe anti-autoritarzimit”. Ky konflikt që u lind nga shpërfillja e Antigonës ndaj urdhrave të Kreonit, më shumë se nga detyrimi për ta mbrojtur të “drejtën hyjnore të familjes” në të vërtetë u “provokua” nga vendosmëria e saj, për të mos i ndjekur verbërisht kufizimet legale shtetërore të ndërtuara mbi modelin e reprezentimit politik patriarkal. Sepse, me aktin e mosbindjes, Antigona, del nga roli i tradicional i gruas dhe konfrontohet në terrenin e jetës publike.

Prandaj, pohojnë ato kjo dramë mbetet inspiruese edhe sot e kësaj dite. Mesazhi që na e përçon është i qartë: se vetëm duke e radikalizuar përpjekjen kundër kufijve të përfaqësimit politik autoritar me sfond patriarkal krijohen kushtet për trajtim të barabartë gjinor dhe për ndërtim të një rendi të mirëfilltë demokratik.

Mbase kjo është arsyeja se pse demokracia dhe feminizmi ndodhen edhe sot në një bashkëdyzim të përhershëm. Dhe se mbetet e vetmja alternativë për t’iu kundërvënë rrezikut që paraqesin lëvizjet autoritare patriarkale kundër vlerave liberale dhe demokratike.

Në këtë kontekst, s’na mbetet tjetër, pos ta shndërrojmë këtë kauzë në idealin kryesor të demokracisë.

/TV Arbëria

 

Powered by WordPress