Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Lajçak paralajmëron ‘hapa të menjëhershëm’ për dinarin: Fillimisht, diskutim me Besnik Bislimin

Lajçak paralajmëron ‘hapa të menjëhershëm’ për dinarin: Fillimisht, diskutim me Besnik Bislimin

I dërguar i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ka paralajmëruar ‘hapa të menjëhershëm për çështjen e dinarit’.

Ai ka thënë se një nga këta hapa, është një diskutim që do ta ketë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Në një përmbledhje që Lajçak i bën javës që shkoi dhe fillimit të kësaj jave, veç tjerash shkruan:

“Pika kryesore në agjendën time në Bruksel javën e kaluar ishte takimi mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur përgjigje në pyetjet e hapura lidhur me vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës për paratë e gatshme – në veçanti çështjen e asistencën nga Serbia për popullatën në Kosovë. Mirëprita përkushtimin e të dyja delegacioneve për gjetur një zgjidhje substanciale për komunitetet e prekura. Takimi ishte i rëndësishëm si hap i parë, sidoqoftë, shumë pikpyetje politike mbesin dhe bisedime të tjera janë të nevojshme në ditët që po vinë. Për këtë arsye, si hap të menjëhershëm qe do ta bëj, është diskutimi me Zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi”.

Javën e kaluar, në Bruksel është mbajtur një takim për çështjen e dinarit, ku nga Kosova, ka marrë pjesë Guvernatori i BQK-së ndërkaq nga pala serbe, kryenegociatori Petar Petkoviq.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Raporti Bislimi – BE

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, javën e kaluar e ka konsideruar të papranueshme sjelljen e Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ndaj zyrtarëve të bllokut.

Stano i ka bërë thirrje Bislimit që t’i vlerësojë përpjekjet e BE-së, në vend që të në mënyrë të pabazë t’i akuzojë ata.

“Ne shpresojmë se zoti Bislimi do t’i vlerësojë përpjekjet, në vend që, në mënyrë të pabazë, t’i akuzojë zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, citohet se ka thënë ai.

Ndërkohë, para kësaj Bislimi e kishte konfirmuar se e ka refuzuar ftesën e emisarit Miroslav Lajçak për bisedime në Bruksel, në lidhje me çështjen e dinarit.

“Por, ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për Marrëveshjen Bazike. Kështu që do të shohim se kush do të shkojë që të bisedojë për dinarin, por nuk është nga ekipi i kryenegociatorit” – u shpreh ai.

Bislimi madje, tutje kishte deklaruar: “…është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa pajtim paraprak me palët dhe është munduar që të përcaktojë agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021, që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa pajtimin e palëve”.

Në këtë takim nga Kosova, ka marrë pjesë Guvernatori i BQK-së ndërkaq nga pala serbe, kryenegociatori Petar Petkoviq.

/TV Arbëria

Powered by WordPress