Franca pritet të përfshijë të drejtën e abortit në Kushtetutën e vet të hënën, në një Kongres të rrallë parlamentar në Pallatin e Versajës, pas miratimit të projektligjit në Senat.
Nëse Kongresi e miraton vendimin, Franca do të bëhet vendi i vetëm në botë që e mbron qartë të drejtën për t’i dhënë fund një shtatzënie.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, është zotuar vitin e kaluar se do ta përfshijë të drejtën e abortit – hap ligjor në Francë prej vitit 1974 – në Kushtetutë, pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e pati përmbysur më 2022 ligjin që e mundëson këtë procedurë.
Aktualisht është në dorën e secilit shtet në SHBA që të vendosë për ndalim apo lejim të procedurës.
Dhoma e ulët e Parlamentit të Francës e ka miratuar me shumicë vendimin që e bën abortin “liri të garantuar” në Kushtetutë.
Përmes një votimi historik më 28 shkurt, më shumë se 80 për qind e votuesve në Senatin e dominuar prej konservatorëve ia kanë dhënë dritën e gjelbër projektligjit.
Tani dokumenti pritet të kalojë edhe në fazën e fundit në një takim të rrallë që zhvillohet të hënën.
Tri të pestat e deputetëve do të duhet të votojnë për projektligjin, në mënyrë që ai të miratohet.
Vendimi i parë ndonjëherë i tillë
Leah Hoctor, prej Qendrës për të drejta të riprodhimit, ka thënë se votimi do të jetë historik.
“Nëse liria për të vendosur për të pasur abort përfshihet në Kushtetutën e Francës, kjo do të jetë dispozita e parë e tillë kaq e qartë ligjore në Evropë dhe në botë”, ka thënë ajo.
Kili e ka përfshirë të drejtën për abort në një draft më 2022, mirëpo votuesit në referendum nuk kanë votuar për miratim të tij.
Disa shtete aludojnë se e gëzojnë këtë të drejtë.
Kushtetuta e Kubës u garanton grave “të drejtat seksuale dhe ato të riprodhimit”.
Edhe disa shtete të Ballkanit kanë trashëguar versione të Kushtetutës së ish-Jugosllavisë që përcaktonte se është e drejtë e njeriut për të vendosur “për lindjen e një fëmije”.
Shtetet tjera e përmendin abortin në Kushtetutë, mirëpo e lejojnë vetëm në situatë të caktuara”, ka thënë Hoctor.
Në Kenia, shembull, Kushtetuta thotë që “aborti nuk është i lejuar përveç nëse profesionistët e trajnuar shëndetësorë vlerësojnë se ekziston nevojë urgjente për trajtim, ose nëse shëndeti i nënës është në rrezik, ose nëse lejohet me ndonjë ligj tjetër”.
Vendim historik?
Aborti është legalizuar në Francë më 1974 përmes një ligji të shtyrë përpara prej Simone Veilit, atëbotë ministre e Shëndetësisë, një grua ikonë për të drejta të grave.
Pjesa më e madhe e popullit francez e përkrah vendimin për të siguruar një mbrojtje shtesë për këtë drejtë.
Një sondazh i kryer prej kompanisë franceze IFOP, në nëntor të vitit 2022, ka gjetur se 86 për qind e popullit francez e përkrah idenë e përfshirjes së ligjit në Kushtetutë.
Politikanët e krahut të majtë dhe ata të qendrës e kanë mirëpritur reformën, derisa senatorët e krahut të djathtë kanë thënë privatisht se ndihen nën presion për ta miratuar atë.
Një deputete ka thënë se vajzat e saj nuk do ta vizitonin më kurrë për Krishtlindje, nëse ajo nuk do të votonte për projektligjin.
Macron e ka cilësuar votën e 28 shkurtit në Senat si “hap vendimtar” dhe menjëherë ka kërkuar mbledhjen e Kongresit parlamentar – një grup deputetësh prej dy dhomave të Parlamentit – të hënën.
Herën e fundit kur është bërë thirrje për ndryshim të Kushtetutës ka qenë viti 2008, kur deputetët i kanë miratuar disa reforma nën presidencën e Nicolas Sarkozyt.
Në mesin e atyre ndryshimeve ka qenë kufizimi i mandateve presidenciale në dy të tillë, si dhe mbrojtja dhe pavarësia më e madhe për mediat.