Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > LDK themelon edhe 20 nëndegë nëpër Evropë

LDK themelon edhe 20 nëndegë nëpër Evropë

Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mbajtur sot mbledhjen e saj të dytë, ka njoftuar kryetari Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook. 

Me një rend dite prej gjithsej 8 pika, u diskutua për takimet mobilizuese me strukturat e LDK-së në Kosovë, si dhe u fol rreth gjendjes organizative të LDK-së, modelit të funksionimit partiak, përgjegjësve rajonalë si dhe themelimit të Këshillave Koordinuese nëpër çdo degë të partisë.

“Anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e deputetët e LDK-së do të jenë në terren në bashkëbisedim të përditshëm me qytetarë për të diskutuar me ta dhe për ta përhapur vizionin e qartë e programin e vetëm politik në Kosovë ‘Rruga e Re’, ka shkruar Abdixhiku.

Kryesia miratoi themelimin e 21 Departamenteve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e po ashtu formoi dhe Forumin e Këshilltarëve Lokalë të cilin do ta udhëheqë, Ilir Ferati, kryetari i Komunës së Istogut.

Në veçanti, sipas Abdixhikut, u diskutua mbi organizimet në Mërgatë, si dhe rreth përgatitjeve për themelimin e 20 nëndegëve të reja gjithandej nëpër Evropë, duke rritur numrin në 78 sosh. “Mërgata po rikthehet në shtëpinë e saj historike, Lidhjen Demokratike”.

Në mbledhje u diskutua po ashtu për aktivitetin Parlamentar dhe Planin e Punës së Grupit Parlamentar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar mobilizimin e gjithëmbarshëm partiak, me programin politik më të pasurin, me të gjitha zgjidhjet për hallet e përditshme të qytetarëve tanë “Rruga e Re”, për një Kosovë që e duam dhe e meritojmë”, përfundon njoftimi.

/TV Arbëria

Themes by WordPress