Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Aktakuzë kundër dy personave në Gjakovë për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje në vazhdimësi

Aktakuzë kundër dy personave në Gjakovë për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje në vazhdimësi

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Q.L., dhe D.T., për veprën penale “Vjedhje e Rëndë në bashkëkryerje në vazhdimësi”, me çka të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material në shumë prej 94,859.75 Euro.

Sipas aktakuzës, ndër të tjera ceket se nga data e pavërtetuar e në vazhdimësi deri me datën 23.10.2023, në Gjakovë, saktësisht në depon e objektit afarist pronë e të dëmtuarit M.B., të pandehurit duke vepruar me dashje dhe në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit, në atë mënyrë që të pandehurit përmes një vrime rreth 1 metër e hapur në mur në pjesën e pasme të dyqanit kanë kaluar në pjesën e depos që i përket të pandehurit Q.L., ku aty kanë hapur një pjesë të murit ndarës që ka qenë e mbyllur me panele druri me vida të cilat kanë qenë të vendosura nga ana e depos së të pandehurit Q.L., ku kanë hyrë në depon e të dëmtuarit dhe nga aty kanë  vjedhur mallra të ndryshme të cilat i kanë bartur në dyqanin e të pandehurit Q.L., dhe e kanë mbyllur prapë pjesën e panelit”.

Pas një pune operative të policisë, një pjesë e sendeve janë sekuestruar dhe u janë kthyer të dëmtuarve.

/TV Arbëria