Shkruan: Afrim Kasolli
Analistë dhe ekspertë të njohur të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimin për sjelljen dhe lojën e dyfishtë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç, edhe me Perëndimin edhe me Lindjen. Kohë më parë gazeta e njohur amerikane Washington Post pat kritikuar administratën e presidentit Joe Biden, për tolerancën e demonstruar ndaj kësaj politike subversive të liderit serb. Në atë shkrim përmendej fakti se si Aleksandër Vuçiç, kishte refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, ndonëse e ka qetësuar Perëndimin duke lejuar që armët nga Serbia të depërtonin në Ukrainë nëpërmjet tregtarëve ndërmjetës. Por, përkundër kësaj loje, lirisht mund të thuhet se zoti Vuçiç, kohën e fundit e ka afruar edhe më shumë Serbinë me Rusinë.
Mirëpo, krahas mirëmbajtjes së këtyre lidhjeve me Rusinë, ai po ashtu ai ka kultivuar raporte tw veçanta politike dhe diplomatike me Kinën. Kështu, kur në tetor të vitit të kaluar në kohën kur në Tiranë po mbahej Samiti i Berlinit ai kishte preferuar të shkonte në Pekin me rastin e shënimit të 10 vjetorit të projektit të inauguar nga ky shtet aziatik i quajtur “Një brez një rrugë”.
Prandaj, lirisht mund të thuhet se Aleksadër Vuçiç, Perëndimin më shumë ka shfrytëzuar vetëm si instrument për përfitime financiare. Siç dihet “Bashkimi Evropian ka qenë mbështetësi kryesor financiar i Serbisë, e cila në dhjetë vjet ka përfituar 4 miliardë euro pa kthim dhe 7 miliardë në kredi të “buta”. Mirëpo kjo nuk e ka penguar asnjëherë politikën e Beogradit për ta shndërruar shtetin e saj në trampolinë për t’iu kundërvë politikisht Perëndimit me mbështetjen e shteteve autokratike të Lindjes sikur se, Kina dhe Rusia.
Këtë fakt e pasqyron intervista e tij e djeshme për Telvizionin CGTN me seli në Pekin, kur deklaroi se “Tajvani është Kinë . Ai është territori juaj, është populli juaj dhe ju jeni një komb sovran. I merrni vendimet vet dhe gjithmonë do të keni mbështetjen e Serbisë”.
Ky solidarizim i hapur me pretendimet e Kinës për Tajvanin vjen në një kohë, “kur (Vladimir) Putini, la të kuptohet se Kosova mund të ishte një mjet pazaresh dhe ai do ta njihte nëse Perëndimi do të njihte pretendimet ruse ndaj territoreve të okupuara ukrainase dhe gjeorgjiane”.
Sidoqoftë, një akt i tillë mund të jetë i kalkuluar edhe nga konsiderata tjera, sidomos për shkak të implikimeve globale që është duke i prodhuar dita ditës rrjedha e luftës në Ukrainë. Ndonëse kohën e fundit forcat ruse kanë pasur sukses më të madhe në terren, megjithatë historiani i njohur, Timothy Snyder, në një intervistë para pak dite, për mediumin Evropa e Lirë, kishte pohuar se “edhe nëse Rusia del fitimtare nga lufta në Ukrainë prapë do të jetë ajo Rusi që po e bën punën e Kinës për Kinën duke e destabilizuar Perëndimin. Pra edhe nëse Rusia, që pushton shtete të tjera, në thelb ende është duke e bërë punën e Kinës, sepse në fund nga kjo luftë do të përfitojë vetëm Kina.
Në këtë kontekst, lëvizjet gjithnjë e më të hapura të Vuçiçit, në favor të interesave të Pekinit në Azi-Paqësor, nuk janë asgjë tjetër, pos një rreshtim i hapur dhe subrodinim total ndaj atij shteti autokratik që pritet të jetë rivali kryesor gjeopolitik i Perëndimit në përgjithësi dhe SHBA-ve në veçanti.
/TV Arbëria