Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Teknologji > Google konfrontohet me Indinë shkaku i përgjigjes së chatbot-it me Inteligjencë Artificiale

Google konfrontohet me Indinë shkaku i përgjigjes së chatbot-it me Inteligjencë Artificiale

Një përgjigje nga platforma me Inteligjencë Artificiale (Al) Gemini e Google ka “provokuar” një konfrontim midis kompanisë dhe qeverisë indiane.

Gazetari Arnab Ray i ka shtruar pyetjen Geminit nëse kryeministri indian, Narendra Modi, ishte një fashist. Ai mori përgjigjen se Modi “ishte akuzuar për zbatimin e disa politikave që disa ekspertë i kanë cilësuar si fashiste”.

Gemini u përgjigj se arsyet për këtë cilësim ishin “ideologjia nacionaliste hindu e partisë në pushtet, shtypja e saj ndaj disidencës dhe përdorimi i dhunës kundër pakicave fetare”, shkruan the Guardian.

Kur gazetari e postoi përgjigjen në rrjete sociale, një person ishte aq i mërzitur sa që i kërkoi Ministrit të Teknologjisë dhe Informacionit, Rajeev Chandrasekhar, të merrte parasysh atë që ai e përshkroi si “përgjigje keqdashëse”.

Ministri ka reaguar menjëherë duke e akuzuar Google për shkeljen e ligjeve të Indisë për teknologji dhe informacion.

Ai shkroi në X se “mosbesueshmëria e platformave me Al nuk mund të përdoret si justifikim që ato të konsiderohen të përjashtuara nga ligjet indiane”.

Google u përgjigj duke thënë se e kishte adresuar problemin dhe po punon për ta përmirësuar sistemin.

“Gemini është ndërtuar si një mjet kreativiteti dhe produktiviteti dhe mund të mos jetë gjithmonë i besueshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për t’iu përgjigjur disa kërkesave rreth ngjarjeve aktuale, temave politike ose lajmeve në zhvillim”, tha Google në një deklaratë. /Telegrafi/

Powered by WordPress