Koreja e Jugut regjistroi një numër rekord të shtetasve rusë që kërkonin azil në vend në vitin 2023, sipas një raporti të publikuar nga Shërbimi Korean i Emigracionit.
Një total prej 5,750 shtetasish rusë kërkuan azil në Korenë e Jugut në vitin 2023, një rritje pesëfish nga 1,038 që kishin kërkuar mbrojtje një vit më parë dhe më shumë se numri total i regjistruar midis 1994 dhe 2019, shkruajnë mediat e huaja.
Rusët përbënin kombësinë më të madhe të 18,838 azilkërkuesve në Korenë e Jugut në vitin 2023, të ndjekur nga ata nga Kazakistani (2,094), Kina (1,282), Malajzia (1,205), India (1,189), Mongolia (836) dhe Turqia (564).
Kërkesat për azil në vitin 2023 ishin më të lartat për të paktën tetë vitet e fundit sipas të dhënave nga Shërbimi i Emigracionit, i cili është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë.
Koreja e Jugut ka ligje të rrepta të imigracionit, të cilat përfshijnë kërkesat për azil.
Nga viti 1994 deri në fund të vitit 2023, 103,760 persona aplikuan për statusin e refugjatit, nga të cilët vetëm 4,052 persona janë njohur deri më tani si refugjatë, sipas raportit të ministrisë.
Arsyeja më e zakonshme që aplikantët dhanë për mbrojtjen e azilit ishin përndjekja e bazuar në fe, e ndjekur nga persekutimi politik.
Arsyet e tjera përfshinin diskriminimin për të qenë anëtar i një grupi të caktuar shoqëror, race ose kombësie.
Dhe trendi ka vazhduar deri në fillim të vitit 2024, sipas shifrave të publikuara të enjten.
Në janar, rusët shënuan numrin më të madh të shtetasve që kërkonin azil krahasuar me shtetasit e tjerë në Korenë e Jugut me 376, të ndjekur nga India (142), Mongolia (142), Kazakistani (132), Kina (129), Malajzia (113), Turqia. (66), Pakistani, Egjipti, Bangladeshi e të tjerë. /Telegrafi/