Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Presidentja e Institutit ESTIMA: Serbia po mbështetet të Kina për të bllokuar Kosovën

Presidentja e Institutit ESTIMA: Serbia po mbështetet të Kina për të bllokuar Kosovën

Duke pasur parasysh se Rusia ka humbur kapitalin e saj diplomatik për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia tani po mbështetet më shumë te Kina, ka thënë Ana Krstinovska, presidente e Institutit ESTIMA në Maqedoni të Veriut.

Krstinovska, e cila ka shkruar një hulumtim akademik, për (jo)marrëdhëniet Kosovë – Kinë thekson se Ballkani po përballet me propagandën kineze, teksa thekson se janë Serbia dhe rajoni i Republikës Srbska që po i nënshtrohen këtij ndikimi.

Sipas saj, ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis asaj që bën Kina në nivel global dhe asaj që ndjehet si pasojë në rajonin e Ballkanit.

“Ne definitivisht nuk jemi të imunizuar ndaj kësaj dhe gazetarët duhet të jenë punëtorët e vijës së parë që do të nxisin debatin publik në mënyrë që qytetarët tanë të formojnë një opinion të informuar për praninë kineze”, thotë ajo.

Intervista e plotë për The Geopost:

The Geopost: Si është situata në Ballkan kur bëhet fjalë për ndikimin dhe propagandën kineze?

Krstinovska: Nëse flasim për aktivitetet kineze, informacionin dhe aktivitetet e ndikimit në Ballkanin Perëndimor, mendoj se ato kalojnë nën radar, pa u vërejtur. Ato janë shumë më pak të eksploruara dhe shumë më pak vëmendje po i kushtohet aktiviteteve kineze. Dhe kjo është pjesërisht sepse shoqëria jonë civile dhe mediat tona nuk janë aq të mirinformuara, ato nuk kanë njohurinë dhe kapacitetin për t’u marrë me kërcënimet e informacionit të paraqitura nga prania kineze në rajon. Kjo për shkak se Kina përdor mjete të ndryshme në krahasim me Rusinë. Ajo përdor shumë më pak dezinformata dhe mbështetet shumë më tepër në propagandë, domethënë, përhapja e informacionit të njëanshëm ose kryesisht të zbukuruar për Kinën dhe për atë që po bën Kina dhe nga ana tjetër eliminimi i të gjitha kritikave që mund të adresohen ndaj Kinës ose ndaj veprimeve të saj në rajon.

The Geopost: Cilat vende janë më të sulmuara nga propaganda dhe ndikimi kinez?

Krstinovska: Nëse flasim për rajonin, ne shohim një ndarje të qartë midis aleatëve të NATO-s, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi, plus Kosovën, dhe nga ana tjetër shohim Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe veçanërisht rajonin e Republikës Srpska të cilat i nënshtrohen shumë më tepër ndikimit kinez, jo vetëm në aspektin e hapësirës së informacionit, por edhe në aspektin e ndikimit ekonomik, dhe ndryshe nga grupi i parë prej katër vendeve që përmenda, ku Kina po bëhet disi e padëshiruar ose më pak e mirëpritur nga ana e elitave politike, në Serbi dhe në Bosnje, ne shohim një prani të shtuar kineze në vitet e fundit.

The Geopost: Keni shkruar një hulumtim akademik, për (jo)marëdhëniet Kosovë – Kinë, a mund të shpjegoni se çfarë është kjo, çfarë do të thotë për Kosovën?

Krstinovska: Kur isha duke bërë doktoraturën, po shkruaja për pesë vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë marrëdhënie zyrtare me Kinën dhe ndikimin që ka Kina në ato vende, dhe disi nuk më dukej e drejtë që Kosova të lihej mënjanë. Kështu që doja të eksploroja se çfarë po ndodh mes Kosovës dhe Kinës, sepse në sipërfaqe nuk ka asgjë, nuk ka prezencë zyrtare kineze, por nga ana tjetër Kina është shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës dhe njohjen e Kosovës. Dhe ndoshta përfundimi kryesor që mund të ndaj me ju, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë, është se ne shohim përpjekje të shtuara nga Serbia për të përdorur marrëdhëniet e saj të privilegjuara me Kinën. Në thelb, Serbia po mbështetet shumë më tepër në Kinë tani, ishte Rusia në të kaluarën, por duke pasur parasysh se Rusia ka humbur kapitalin e saj diplomatik për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia është duke u fokusuar shumë më tepër në Kinë për të bllokuar në thelb përpjekjet e Kosovës për siguruar njohje ndërkombëtare ose për të kërkuar anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Dhe për fat të keq në atë kohë, shpresoj se situata po ndryshon apo do të ndryshojë, nuk kam parë përpjekje apo aktivitete sistematike nga ana e Kosovës për ta adresuar disi këtë sfidë. Kam pasur ndjenjën se Kosova nuk është shumë e vetëdijshme për potencialin që ka Kina për të penguar përpjekjet e saj për njohje ndërkombëtare. Dhe ky është ndoshta një mesazh për politikëbërësit e Kosovës se kjo është diçka që ata duhet ta marrin seriozisht dhe të punojnë seriozisht.

The Geopost: Si të mbrohemi apo si të identifikojmë propagandën kineze në mediat tona?

Krstinovska: Do të më duhet t’ju ftoj në një trajnim ose profesionistë të medias në një trajnim sepse ka shumë për të mësuar dhe kuptuar. Por në thelb hapi i parë do të ishte të kuptonim burimet zyrtare kineze, nga vijnë, si po shndërrohen në hapësirën tonë të medias lokale të informacionit dhe të kërkojmë burime alternative që japin një opinion tjetër. Pluralizmi demokratik është diçka për të cilën ne duhet të përpiqemi si shoqëri demokratike dhe në këtë rast, në këtë aspekt, gazetarët dhe mediat kanë një rol kyç për të luajtur. Ata duhet të punojnë më shumë, gazetarët investigativë veçanërisht, mbi praninë kineze në rajon, mbi aktivitetet kineze në nivel global dhe si ato lidhen dhe si ndikojnë në vendet tona, sepse ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis asaj që bën Kina në nivel global dhe asaj që ne po ndjejmë si pasoja edhe në rajonin tonë. Ne definitivisht nuk jemi të imunizuar ndaj kësaj dhe gazetarët duhet të jenë punëtorët e vijës së parë që do të nxisin debatin publik në mënyrë që qytetarët tanë të formojnë një opinion të informuar për praninë kineze.

Powered by WordPress