Ish-shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka deklaruar se asnjëherë nuk është larguar nga politika, por vetëm ka pasur një pauzë për t’i dhënë drejtësisë mundësinë që të kryejë punën e saj. Këtë proces, Grabovci e quan propagandë dhe qëllimkeqe.
Grabovci, ka folur për dështimin e rikthimit të Fatmir Limajt në PDK. Ndërsa për partinë e tij, shpreh pakënaqësi, duke e quajtur “të përgjumur”.
Ish-deputeti i PDK-së, thotë se me ngritjen e aktakuzës në rastin “Pronot” ka dhënë dorëheqje për të treguar kulturën e partisë. Thotë se ka dashur që t’i hapur rrugë drejtësisë që ta thotë fjalën e saj.
“Unë dua ta bëjë një ndarje aktivitetin tim unë nuk e kufizoj vetëm në daljen time në media komunikimin me mediat se zakonisht njerëzit janë mësu që të më shohin në media në vazhdimësi kohëve të fundit pas procesit që ka ndodh unë mendoj që kjo ka qenë kultura edukata e PDK-së që përcaktimi i PDK me njerëzit të cilët ngritët ndonjë proces gjyqësor është mirë që të japin shembullin dhe mos t’i mbajnë pozitat për ta pengu drejtësinë”, thotë Grabovci.
“Unë them me kënaqësi të madhe se momentin kur ka ndodh ky inskenim unë kam dhënë dorëheqje, i kam bërë thirrje drejtësisë që ta luaj rolin e vetë dhe fatbardhësisht ky epilog ka përfunduar siç e kam pritur edhe në fillim sepse si në fillim unë jam deklaruar se absolutisht ato se çka thuhen kanë të bëjnë me propagandë, janë qëllimkëqija, megjithatë më i rëndësishëm se personaliteti im janë proceset dhe unë nuk kam dëshiruar t’i dëmtojë proceset dhe jam tërheq”, u shpreh Grabovci.
Grabovci ka shprehur edhe pakënaqësinë ndaj lidershipit të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e quan parti “të fjetur”. E pranon se PDK-ja ka ndryshuar historinë e saj të themelimit me të cilën ishte identifikuar më parë.
“PDK-ja ka një potencial të jashtëzakonshëm është një subjekt me një traditë dhe me merita të jashtëzakonshme. E them me kënaqësi shumë të madhe dhe me krenari se lidershipi i PDK-së identifikohet me ndryshime të mëdha historike në të cilat ka kaluar vendi ynë, qoftë para luftës, gjatë luftës por edhe pas luftës. Realiteti ndryshon, andaj ne duhet të ndryshohemi të gjithë të përshtatemi me kohën me rrethanat por njëkohësisht t’i identifikojmë kërkesat e momentit dhe t’u përgjigjemi atyre kërkesave me mjete adekuate. Nëse më pyet a jam i pakënaqur sepse mendoj se PDK ka potencial të jashtëzakonshëm të gatshëm e kam quajt disa herë të fjetur që pret për t’u zgjuar për të marrë përgjegjësi, detyra dhe për t’i materializuar ato dhe të gjithë këto në shërbim të proceseve”, thotë tutje Grabovci.
Ndërsa për mundësinë që kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj t’i bashkohej PDK-së, Grabovci e quan proces të mbyllur. Thotë se Limaj e ka bërë zgjedhjen e tij.
“Janë shumë arsye absolutisht kam një të kaluar me Fatmir Limajn të luftës dhe të pas luftës ndihemi mirë mendoj se në PDK e kam vlerësuar atëherë sot dhe nesër. PDK ka nevojë për të gjithë askush nuk është i tepërt në PDK mirëpo zoti Limaj ka zgjedh rrugën e vetë, unë i përshëndes dhe u dëshirojë sukses që të dytë i kam pas bashkëluftëtarë kem të kaluar të përbashkët dhe unë besoj se kur të janë në pyetje proceset pa marrë parasysh disa se ku zhvillohen aktivitetet në thelb në sens ata do i mbrojnë dhe do jenë në shërbim të proceseve në rastin konkret shtetit të Kosovës”
“Zoti Limaj e ka bërë zgjidhjen e vetë unë nuk kam çka me e komentu më tepër.”