Ekonomia e Kosovës karakterizohet nga një shumëllojshmëri biznesesh mikro dhe të vogla, të cilat shërbejnë si shtylla themelore të ekonomisë së vendit. Aktualisht vetëm 18 % e tyre janë në pronësi të grave. Megjithatë, bizneset në pronësi të grave përballen me vështirësi të shumta, përfshirë qasjen e kufizuar në tregje, burime financiare dhe mbështetje të bizneseve konstaton raporti i fundit i institutit GAP në punimin “Sfidat dhe mundësitë e qasjes në treg për bizneset në pronësi të grave në Kosovë”.
Ky raport i analizon mundësitë dhe pengesat me të cilat përballen bizneset në pronësi të grave në Kosovë, me fokus të veçantë në pasojat e pandemisë COVID-19.
Sipas këtij raporti ekzistojnë sfida më të mëdha në qasjen në treg dhe kufizimeve financiare .
Shumica e këtyre bizneseve kanë vështirësi në lidhjen e marrëveshjeve me shitës të mëdhenj.
Po ashtu stereotipet dhe paragjykimet gjinore kalojnë pa u vënë re, duke pasur parasysh se ka ndarje gjinore në disa profesione (p.sh. bizneset që operojnë në tregti me pakicë ku produkti kryesor është ushqimi tradicional shpeshherë janë në pronësi të grave). Për shkak të besimeve të rrënjosura patriarkale, bizneset në pronësi të grave shpesh përballen me ndërhyrje nga familjarët, të cilat kushtëzojnë përparimin e tyre. Është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë digjitale, veçanërisht pas pandemisë. Megjithatë, nuk ofrohen trajnime të mjaftueshme për marketing digjital për bizneset mikro dhe të vogla në pronësi të grave.
Pandemia COVID-19 ka pasur ndikim shumëdimensional mbi bizneset. Ka pasur sfida për bizneset aktive, ndërkohë që janë krijuar mundësi të reja për bizneset e reja. Shumë biznese janë ende në fazë të rimëkëmbjes, ku niveli i ndikimit ndryshon sipas sektorit.
Është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë digjitale, veçanërisht pas pandemisë, megjithatë, nuk ofrohen trajnime të mjaftueshme për marketing digjital.
/TV Arbëria