Shifrat e borxhit publik për vitin 2023 kanë nxitur polemika në mes të ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe deputetëve të opozitës.
Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, në të cilin po raportojnë Murati dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore lidhur më realizimin e të hyrave për vitin 2023, Murati ka thënë se borxhi publik është në nivelin më të ulët në Evropë.
Ai ka thënë se si Qeveri janë munduar ta stabilizojnë dhe ai është ulur.
“Sa i përket kësaj pike për borxhin publik, mund të them se si qeveri e Republikës së Kosovës jemi munduar që të stabilizojmë borxhin publik, e madje në vitin paraprak kemi pasur rënie në vlerë absolute të borxhit krahasim me vitin 2022, dhe për me tepër rënia është theksuar edhe më tej në terma relativ, pra kur krahasohet si borxh ndaj bruto prodhimit vendor”.
“Nëse flasim me shifra konkrete, pra borxhi ndaj GDP-së në vitin e kaluar është mbyllur me 17.2 për qind e GDP-së në krahasim me vitin 2020 që ka qenë 22.44 për qind. Nëse shifet trajektorja që nga viti 2020 e këndej ka pas rënie të vazhdueshme të borxhit publik, pra vitin e fundit sidomos ka pas rëni edhe në vlerë absolute, pra duke reduktuar kryesisht vlerën e letrave me vlere të emetuara nga Qeveria, kjo si përgjigje ndaj rrethanave të jashtme që kanë qenë, e që kanë të bëjnë me rritjen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane e që kjo në terma makroekonomik rezulton edhe më një shtrëngim në kreditim të ekonomisë reale”.
Deklarimi i ministrit Murati për ulje të borxhit ka nxitur reagim të deputetit Avdullah Hoti. Ai ka thënë se borxhi vetëm është mirëmbajtur dhe nuk ka pasur përmirësim të performancës së borxhit publik.
Sipas Hotit, nuk mund të merret referencë viti 2020 i pandemisë pasi që në atë kohë është rritur kreditimi dhe ka qenë në rritje shkaku i situatës së jashtëzakonshme. Ai ka thënë se 17 për qind e GDP-së ka qenë borxhi edhe në vitet paraprake.
“Nëse e merreni vitin 2019, besoj se kjo duhet të merret. Sot kemi 462 milionë euro më shumë borxh publik, nuk po them se është keq, por t’i citojmë shifrat saktë. Nuk e ke ulje borxhin publik, e ke mirëmbajtur një praktikë të mirë, të etabluar nga qeveria e Kosovës në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar, Fondi Monetar në veçanti. Bile ti ke qenë një ndër personat kyç në huazimet gjatë qeverive të kaluara, vet i jep kredi edhe vetes edhe realitetit. Puna jote në borxhin publik shej nuk ja ka lënë këtij vendi, asgjë nuk ke bërë, 17 për qind e ke gjete ”, ka thënë ai.
Hoti i është drejtuar ministrit Murati që t’i lejë ironitë më të, pasi siç ka thënë, nuk është duke u munduar që ta poshtërojë askënd. Hoti ka kërkuar sqarime pse nuk është bërë vlerësim kreditor.
“Sa është vlera e kredive që janë ratifikuar në Kuvend gjatë këtij mandati qeverisës. Sa janë disbursuar. Prej këtyre që janë ratifikuar gjatë mandatit tuaj sa është përafërsisht përqindja e disbursimit”, pyeti Hoti.
Ndërsa Murati tha në vitin 2023 janë disbursuar 102.4 milionë nga 692 milionë të ratifikuar. Sipas tij, më 2023 në Kuvend janë ratifikuar kredi në vlerë afro 300 milionë euro.
Murati ka thënë se janë duke ndërtuar një historik për një trend të menaxhimit të mirë të kredisë.
Për këtë ka ndërhyrë Hoti, duke thënë “mos me mua kështu se kjo është diskutuar gjatë kohës që kam qenë ministër dhe e kemi diskutuar se a të bëhet atë vit apo vitin tjetër”.
“Pse nuk bëhet vlerësimi i kostos kreditore kur është diskutuar të bëhet më 2017. A e din sa humbjen e ka ekonomia e Kosovës shkaku i kësaj?”, ka thënë Hoti.
E Murati ka thënë se do ta bëjnë këtë dhe do të bëhet për herë të parë.
Hoti ka pyetur se çfarë vërejtje ka që nuk është bërë.
“Më është dashur që të bëjë historikun që dëshmon se kemi menaxhim mirë të kredisë dhe do ta bëjë”, ka thënë Murati.
E pas kësaj, Hoti i ka thënë se Muratit se nuk do të jetë ministër më, “se mandati juaj shkoj”.
Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK ka thënë se nuk ka pasur trend të zvogëlimit të borxhit por vetëm mirëmbajtje.
“Borxhi publik i Kosovës është më i ulti në rajon jo fal kësaj qeverie por çdo herë ka qenë kështu. Unë nuk mendoj që ju duhet të krenoheni që e keni ulur borxhin, juve ju mungon disbursimi i mjeteve në investime kapitale, e di që keni vështirësi në marrëveshje. Ju e keni mirëmbajt borxhin, nuk mund të na shitës që ka pasur sukses të kësaj qeverie”, ka thënë ai.