Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se në vend të Shqipërisë, sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken do ta vizitonte Kosovën, nëse Albin Kurti do ta mbante fjalën dhe do sillej sipas tij si burrështetas.
Haziri tha në Debat Plus, tha se JO-ja e Kurtit për dinarin bëri që Blinkeni ta vizitojë Shqipërinë e jo Kosovën.
“Ka qenë vizitë e mirë, është anashkalu Prishtina, unë e di që ajo ka qenë e planifikuar në Prishtinë, me u pas mbajt fjala, me u pas sjellë si burrështetas. Në partneritet edhe kur thuhet JO arsyetohet jo-ja, pranohet. Jam dëshmitar, ka pas situata kur kemi thënë qëndrimi ynë është ky. Tash po mungon pragmatizmi, nganjëherë ka nevojë me u arsyetu qëllimi si një fëmije 7 vjet”, tha ai.
Sipas tij, Blinken nuk erdhi për faj të Kurtit por edhe për fajin e presidentes Vjosa Osmani.
“Mbajtja e fjalës nga kryeministri dhe pjesërisht nga Presidentja, do ta krijonte mundësinë që sekretari i shtetit ti jep dinamikë të re dialogut. Ai nuk vjen nëse ka ndalje apo regres. Po flasim për një ngërç të madh”, tha ai.
Haziri theksoi tutje se Kurti i ka ndërruar metodat por jo edhe qëllimet politike.
“Kurti i ka ndryshuar metodat dhe jo qëllimet politike. Duke i ndryshu metodat ndërkombëtarët shkaktuan pritje, njëjtë edhe popullit i shkaktoi pritje. Tash po lexohet drejtë tash nuk mund të befasohet për asgjë”, tha ai.
Haziri u shpreh se çështja e dinarit serb është barazuar tashmë me sulmin në Banjskë.
“Ne jemi mundësuar që paratë po shkojnë për financim të terrorizmit, dhe grupeve që po sulmojnë. E kemi humb argumentin. Nuk e kemi kapitalizuar, kemi dështuar dhe e kemi barazuar një dinar në qarkullim me diçka që është shumë e madhe, që ne Serbisë duhet me ia atribuar që strehon terrorist dhe jo vetëm financon”, tha ai.