Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vdekja e 4-vjeçares, Vitia: Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës duhet të ketë masa, pa vonesë

Vdekja e 4-vjeçares, Vitia: Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës duhet të ketë masa, pa vonesë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dalë me reagim lidhur me rastin 4-vjeçares nga Gjakova, e cila vdiq të hënën në QKUK. Prindërit e saj kanë deklaruar se vajza e tyre nuk ka pasur trajtimin e duhur mjekësor dhe se kanë pritur me orë të tëra që mjekët ta kontrollojnë.

Vitia ka thënë se për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë, raporton Express.

Ai ka bërë thirrje që rasti të hetohet në çdo detaj.

“Humbja e jetës së vajzës 4 vjeçare nga Gjakova na ka prekur të gjithëve.  Jemi informuar për përvojën që kanë pasur prindërit nga deklarimet e tyre publike. Për cilindo që ka mundur të jetë përgjegjës në sistemin shëndetësor duhet të ketë masa, pa vonesë.  I bëj thirrje organeve të hetimit që sa më parë rasti të hetohet në çdo detaj.  Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve!”, ka shkruar Vitia.

Edhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dalë më herët me një reagim.

ShSKUK ka apeluar që “mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë”, raporton Express.

Në reagimin e ShSKUK’së thuhet se e njëjta kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e QKUK’së më 17 shkurt, rreth orës 15:00 dhe se ishte sjellë nga Spitali i Gjakovës, me parametra vital dhe me gjendje mjaftë të rënduar shëndetësore.

Tutje thuhet se pas analizave dhe konsultave, ajo ishte vendosur për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë).

“Në Qendrën Emergjente të QKUK-së, kryhen të gjitha analizat laboratorike dhe ato diganostike – radiologjike, thirrën në konsultë edhe mjekët e lëmenjve përkatëse. Pas të gjitha konsultave, vendoset për trajtim të mëtejmë në Repartin Intensiv në Klinikën e Pediatrisë, me diagnozë të punës Sepsë ( infeksion akut i rëndë i shkallës se lartë). Përkundër të gjitha masave reanimatore të ekipeve të mjekëve të Klinikës së Pediatrisë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, fëmija ndërron jetë me datë 19 shkurt 2024”, thuhet në reagim.

ShSKUK ka apeluar që “mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë”.

“ShSKUK, ka kërkuar raporte të detajuara nga Spitali Përgjithshëm në Gjakovë dhe nga QKUK dhe të njëjtat do t’i shqyrtojë. ShSKUK, apelon që në publik, mos të spekulohet në lidhje me shkaqet e vdekjes së pacientes, deri në rezultatet e hetuesisë, të cilat do të merren parasysh edhe nga ShSKUK për veprime të mëtejme”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, Spitali “Isa Grezda”, në Gjakovë ka mohuar pretendimet e prindërve të katërvjeçares që vdiq dje, se nuk ka pasur trajtim të duhur mjekësor në këtë spital.

Nga ky spital rajonal kanë thënë se mjekimi i saj u krye me shumë profesionalitet.

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun , fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar. Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.

Ata thonë se i kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm autoriteteve që nga pranimi i rastit e deri në referimin e pacientes.

“Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në reagim.

Powered by WordPress