Keqpërdorime e shkelje të shumta ligjore dyshohet se janë bërë përgjatë këtyre viteve për marrjen e patentë-shoferit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi derisa kishte njoftuar për shkeljet ligjore që kanë gjetur, ka njoftuar se përkatësisht në rajonin e Pejës dyshohet se janë bërë më së shumti keqpërdorime.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi për Telegrafin konfirmoi se hetimet janë duke vazhduar.
“Departamenti i Krimeve të Rënda është duke vazhduar me hetimet, për momentin nuk mund të jap më shumë detaje pasi pengohet procesi i hetimeve”, tha Nikçi.
Durmishi para disa javësh kishte dorëzuar në Prokurorinë e Pejës raportin me qindra raste, ku përfshihen emra të personave të dyshimtë nga autoshkolla, ekzaminier e zyrtarë të ministrisë.
“Nga ajo që kemi gjetur deri më tani kemi gjetur që bëhet fjalë për një ndërmarrje të gjerë kriminale e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë. Dyshimet tona kanë filluar nga informatat e shumta që na dërgonin qytetarët. Pas analizimit të statistikave vjetore që jemi njoftuar nga departamenti na kanë njoftuar që ka dyshime për keqpërdorime të shumta”, ka thënë Durimishi.
Durimishi kishte paralajmëruar se nëse konfirmohen dyshimet e tyre, do të konfiskojnë të gjitha patentë-shoferët që janë marrë kundërligjshëm.
Ministria e Infrastrukturës para pak ditësh ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës tre ekzaminerëve të angazhuar në departamentin për patentë-shofer.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte thënë se vendimi është marrë pas informatave për dyshime të bazuara në keqpërdorime të mëdha në procesin e punës.