Kurrë më shumë se këtë vit dallimet e brendshme politike të Amerikës mbi rolin dhe përgjegjësinë e saj si në botë ashtu edhe përballë aleatëve të NATO-së, nuk janë reflektuar se këtë vit në Konferencën e Samitit të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë.
Dy nga temat kryesore që e dominuan këtë event pa dyshim se ishin lufta në Ukrainë kundër agresionit rus dhe ajo në Lindje të Mesme, e cila shpërtheu me 7 tetor te vitit të kaluar kur pjestarë të grupit militant palestinez të Hamasit sulmuan shtetin e Izraelit.
Të dy këto zhvillime, pa përjashtuar edhe vatrat tjera të nxehta gjeopolitike, sikur se tendosjet në ngushticën e Tajvanit janë duke e përkeqësuar gjithnjë e më tepër situatën e sigurisë globale.
Lufta në Ukrainë ka kohë që nuk është duke u zhvilluar në favor të forcave të këtij shteti.
Madje ripushtimi i qytetit të Avdijikës nga ushtria ruse në dy vjetorin e kësaj lufte, tregon se Moska është duke gëzuar avantazh në terren. Ndërkohë, sa më shumë kohë që po kalon sa i përket konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, rreziku po bëhet gjithnjë e më i madh katakalizëm rajonale.
Praktikisht, si SHBA-të, ashtu edhe Britania e Madhe tashmë janë bërë pjesë e kësaj lufte, për shkak të bombardimit të pozicioneve ushtarake të grupit rebel Huthi në Jemen, të cilët me sulmin e tyre në Detin e Kuq e kanë kërcënuar qarkullimin tregtar në atë rrugë detare.
Sidoqoftë, ky përkeqësim i situatës reflekton edhe çarjet e brendshme politike në SHBA.
Bie fjala, ndihma për Kievin ka kohë që ka mbetur peng i refuzimit të Kongresit Amerikan për ta votuar paketën e re financiare për ta ndihmuar ushtrinë e Ukrainës.
Ndërkaq, pak ditë para se të fillonte ky Samit, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe i cili pritet të jetë kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, duke folur në një tubim politik në Karolinë të Jugut, ka pohuar se SHBA-ja mund të mos i mbrojë aleatët që nuk shpenzojnë mjaftueshëm në mbrojtje, në rast se sulmohen nga Rusia.
“Nuk do t’ju mbroj. Në fakt, do ta inkurajoja [Rusinë] të bëjë çfarë dreqi do. Duhet të paguani. Duhet të paguani faturat”, ka thënë Trump.
Kështu, një deklaratë e tillë pashmangshëm shkaktoi tronditje të shumë prej shteteve anëtare të NATOS-së.
Si kundërpërgjigje ndaj këtij pohimi, presidenti Joe Biden deklaroi se pohime të tilla janë të “rrezikshme, të turpshme dhe jo amerikane” .
Për më shumë, Biden i siguroi vendet e Aleancës se deri sa te jetë president “nëse (presidenti rus, Vladimir Putin), sulmon një anëtar të NATO-s, SHBA-ja do të mbrojë çdo inç të territorit të NATO-s”.
Kështu, një pjesë e agjendës së dy përfaqësueseve kryesorë të ShBA-së, zv.presidentes Kamal Harris dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Bliken, në këtë Samit e ka dominuar riafrimimi dhe ri’sigurimi i Aleancës Veri-Atlantike.
Përfundimisht, kjo konferencë nxori në sipërfaqe një paradoks të veçantë.
Nëse deri më tani evente të tilla kishin shërbyer si një mundësi që Amerika të forconte unitetin transatlantik në favor të garantimit të rendit ndërkombëtar, kësaj here që ky rend të ketë shansa të mbijetojë asaj i duhet ta garantojë unitetin e brendshëm sa i përket prioriteteve strategjike globale të saj.
/TV Arbëria