Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të bashkëpunojnë për të arrestuar kryeterroristin e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
“Ata duhet të arrestojnë Radojiçiqin dhe ta fusin në burg”, ka thënë Shaheen gjatë konferencës së Sigurisë që u mbajt në Munih.
I sanksionuari i ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë për agresionin serb ndaj Kosovës, për çka senatorja Shaheen tha se i njëjti duhet të mbahet përgjegjës për vrasjet.
“Kam pasur rastin të takohem me presidentin Vuçiq sot në mëngjes, jam takuar me kryeministrin Kurti dje dhe një nga gjërat që mendoj se duhet të ndodhë është që duhet ta arrestojnë Radoiçiqin dhe ta fusin në burg. Ai ka pranuar bashkëfajësinë në atë që ndodhi më 24 shtator, ka pranuar vrasjet dhe tani duhet të mbahet përgjegjës për këtë, Serbia dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë për këtë”, ka thënë ajo.