Në fund të viteve ’90 të shekullit të kaluar për shqiptarët e Kosovës nisi një periudhë brutale shtypjes dhe terrorit na regjimi i Miloshevicit. Më 23 mars të vitit 1989 u abrogua autonomia e Kosovës. Pasoi mbyllja e shkollave, televizionit, universitetit dhe institucioneve tjera kulturore në gjuhën shqipe. Mijëra shqiptarë u dëbuan nga vendet e tyre të punës. Maltretimi, persekutimi dhe burgosja u bënë realitet i përditshëm në Kosovë.
Ndaj kësaj politike agresive qytetarët e Kosovës reaguan duke kërkuar pavarësi. Kjo kërkesë u artikulua me referendumin e shtatorit të vitit 1991. Në këtë ngjarje plebishitare, morën pjesë 87% e qytetarëve të Kosovës, ku 99 % e tyre votuan në favor të pavarësisë. Mirëpo, kjo e fundit atëbotë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë.
Se kriza e Kosovës kishte hyrë në një situatë pa shtegdalje dhe opsioni paqësor nuk po merrej në konsideratë nga bashkësia ndërkombëtare u dëshmua në vitin 1995 me Konferencën e Dejtonit. Kosova mbeti jashtë këtij akordi që i dha fund luftës 3 vjeçare në Bosnje. Kështu rezistenca e armatosur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës filloi të marrë jetë gjithnjë e më shumë.
Me qëllim që ta shtyp që në embrion rezistencën e UCK-së, me 5 Mars të vitit 1998, forcat speciale serbe e sulmuan fshatin e Prekaz dhe në mënyrë të veçantë shtëpinë e Adem Jashari-t. Duke përdorur artileri kundër shtëpive, dhe snajper kundër atyre që arratiseshin, masakra përfundoi me 58 të vdekur, duke përfshirë këtu edhe vetë Adem Jashari-n. Ky moment shënoi edhe fillimin e hapur të luftës së armatosur.
Gjatë kësaj kohe forcat serbe kryenin shumë masakra mbi popullsinë civile. Për të shmangur një katastrofë humanitare, ish-diplomati amerikan Richard Holbrooke bëri marrëveshje me Milosheviqin në tetor të vitit 1998, në bazë të së cilës u vendos Misioni civil verifikues i OSBE-së. Mirëpo, Masakra e Reçakut ku u ekzekutuan 45 civilë të pafajshëm shqiptarë nga forcat policore dhe paraushtarake serbe, dëshmoi qartë se duhej një zgjidhje e qëndrueshme e krizës.
Me këtë rast, Grupi i Kontaktit u kërkoi dy palëve, asaj jugosllave dhe palës shqiptare, që t’i dërgonin delegacionet e tyre në Rambuje. Në fund kjo marrëveshje u nënshkrua në Paris me 18 Mars, vetëm nga delegacioni shqiptar.
Ky akt i hapi rrugë fillimit të bombardimeve të NATO-së më 24 mars të vitit 1999. Fushata e bombardimeve zgjati deri më 10 qershor 1999. Kurse, gjatë kohës sa po zhvilloheshin këto bombardime, Serbia e ndërrmori fushatën totale për spastrimin etnik të Kosovës. Ky operacion u ekzekutua sipas planit të njohur “Patkoi”. Kështu, për pak jave u vranë mbi 10.000 civilë dhe mbi 1 milionë shqiptarë u shpërngulen nga trojet e tyre etnike. Kjo luftë përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999, ndërmjet NATO-së dhe ish-Jugosllavisë. Kurse më 10 Qershor në Këshill të Sigurimit u miratua Rezoluta 1244 më të cilën Kosova u fut nën administrim ndërkombëtar.
Mirëpo, ngjarjet e marsit të vitit 2004 treguan për fragjilitetin situatës dhe se Kosova nuk mund të mbahej pafundësisht nën administrim ndërkombëtar. Status quo-ja po behej e rrezikshme.
Atëherë, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, e ngarkoi ish-presidentin e Finlandës Marti Ahtisari t’i drejtonte negociatat për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Këto bisedime u mbajtën në Vjenë. Kurse, më 2 shkurt 2007, diplomati finlandez e bëri të njohur propozimin e tij për statusin final të Kosovës, ku rekomandonte pavarësinë e kushtëzuar.
Ky plan u përshëndet nga klasa politike në Kosove , por u refuzua nga Serbia. Kurse, pikërisht kur po dukej se zgjidhja ishte afër, procesi morri një kthesë të befasishme. U hapën negociata të reja. Grupi i Kontaktit e emëroi treshen e negociatore e përbërë nga Wolfafng Ishcinger nga Gjermania, në emër të BE-së, së bashku me Alexandër Botsan Harchenkon e Rusisë dhe Frank Winer e SHBA-ve. Këto bisedime nuk patën sukses. Në anën tjetër, dështimi i bisedimeve të Ischingerit e hapi shtegun për veprimin e Kosovës, në koordinim me SHBA-ne dhe shtetet kyçe të BE-së. Më në fund më 17 shkurt të vitit 2008 Kuvendi i Kosovës e shpalli Deklaratën e Pavarësisë. Në këtë mbledhje morën pjesë 109 deputetë, nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Ndërkaq, në korrik të vitit 2010 Gjykata Ndërkombëtarë e Drejtësisë konstatoi, se shpallja e pavarësisë nuk e ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare duke e vulosur kështu të drejtën e Kosovës për shtet. Dhe duke i dhënë fund një padrejtësie historike shekullore mbi shqiptarët e Kosovës, padrejtësi kjo që filloi në vitin 1912, kur Kosova u la jashtë shtetit shqiptar nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër me 1913. Një vendim i tillë u mor nga fuqitë e mëdha me shpresën për kujtuar paqen evropiane. Por koha tregoi se mbi një padrejtësi historike as nuk mund të ruhet paqja as të shmanget kriza.
/TV Arbëria