Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, kanë zyrtarizuar të premten një marrëveshje politike me një organizatë të re politike Demokracia Konservetare, kjo e fundit do t’i bashkohet listës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
Ramush Haradinaj, tha se ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me anëtarët e këtij subjekti dhe është i mahnitur me vlerat që përfaqësojnë.
”Ka një kohë të gjatë që bashkëpunoj me kolegët e Demokracisë dhe jam i mahnitur me vlerat që përfaqësojnë filluar nga e para njerëzorja, vlerat e familjes dhe hyjnorja. Sot kur po e nënshkruajmë bashkëpunimin tonë politik e them me zemër, me ndjenjë, me bindje, që nuk na shtyn asnjë urrejtje ndaj askujt por na shtyn ndjenja e atdhedashuria”, ka thënë Haradinaj.
Ndërkaq Fatmir Limaj, ka thënë se po shkojmë drejt një uniteti në diversitet.
“Ne po vazhdojmë me zgjerimin e frontit opozitar, me një objektiv që ta bëjmë më të mirë jetën e qytetarëve tanë. Sot besoj për të gjithë ata njerëz që e duan këtë ndryshim është një lajm i mirë”, ka deklaruar Limaj.
Në anën tjetër Avdullah Klinaku, kryetar i Demokracisë Konservarore, thotë se ky bashkëpunim do t’i fuqizoj vlerat e familjes në shoqëri.
“Ne besojmë që e përmbyllim një proces dhe e nisim një rrugë politike që ka me i fuqizu këto vlera në shoqërinë tonë. Ftoj konservatorët e Kosovës që të na bashkohen në këtë proces”, shtoi ai.
/TV Arbëria