Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Vizitat e sekretareve amerikanë të Shtetit, që lanë gjurmë në historinë e Shqipërisë

Vizitat e sekretareve amerikanë të Shtetit, që lanë gjurmë në historinë e Shqipërisë

Vizita e Sekretarit amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në shtetin shqiptar po ndodhë në një kohë të trazuar për botën. Sipas, Zëvendësndihmës sekretares amerikane të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Yuri Kim, “kjo vizitë përkon edhe me fillimin e shekullit të dytë të raporteve të SHBA-së më Shqipërinë”.

Zanafilla e këtyre marrëdhënieve daton që nga viti 1922, kur Xhafer Ypi në cilësinë e Kryeministrit të vendit  dhe Ministrit të Punëve të Jashtme i dorëzoi notën e njohjes së qeverisë shqiptare SHBA-ve. Ndërkohë, në fillim të dhjetorit 1922, mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane  U.Grant-Smith, në cilësinë e  Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA-ve në Shqipëri. Me 4 dhjetor ai paraqiti letrat kredenciale.

Këto marrëdhënie u ndërprenë për pas Luftës së Dytë Botërore, pasi Shqipëria u rreshtua ideologjikisht në anën e kampit komunist. Kurse ato u rivendosen përsëri në fillim të viteve ‘90 me vizitën e parë të ish-Sekretarit të Shtetit James Bakerm, në vitin 1991. Ai u bë zyrtari i parë i lartë amerikan që e vizitoi Shqipërinë post-komuniste. Në fjalimin mbajtur para 300.000 shqiptarëve në sheshin Skënderbej,  Baker deklaroi se “Për llogari të presidentit President Bush dhe të popullit amerikan, vij këtu sot për t’ju thënë se: Liria funksionon. Më në fund ju jeni të lirë të mendoni mendimet tuaja. Më në fund jeni të lirë të flisni atë që mendoni. Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj. Shqiptarët kanë zgjedhur t’i bashkohen shoqërisë së njerëzve të lirë të të gjithë botës. Mirësevini në shoqërinë e burrave dhe grave të lira, ashtu siç kërkonte të ishin dhe krijuesi ynë. Ju jeni me ne dhe ne jemi me”.

Vizita e dytë e një Sekretarit amerikan të Shtetit, ishte ajo e Sekretares Madeleine Albright në vitin 2000, një vit pas përfundimit të luftës në Kosovë, kur Aleanca Veri-Atlantike pat ndërhyrë kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe, për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin e shtetit të Serbisë mbi shqiptarët. Ajo e falënderoi shtetin shqiptar për rolin e saj konstruktiv gjatë kësaj lufte si dhe për pritjen e  refugjateve nga Kosova.

Ndërkaq, vizita e tretë e një Sekretari amerikan të Shteti ishte ajo e Colin Powell-it, në maj të vitit 2003. Ish-Sekretari i Shtetit në atë kohë e falënderoi Shqipërinë për rolin saj në mbështetje të Luftës në Irak. Po ashtu me këtë rast u hodhën themelet e asaj që njihet si Karta e Atlantikut. Kështu, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, si vende anëtare të partneritetit për paqe (PfP) dhe të Këshillit Euroatlantik të Partneritetit (EAPC), më mbështetjen e SHBA-së e nënshkruan këtë traktat të sigurisë me të cilën përkrahej rruga e këtyre vendeve për t’u anëtarësuar në NATO.

Ndërkohë, në nëntor të vitit 2012 Hillary Clinton, e vizitoi Shqipërinë. Kjo vizitë kishte ndodhur pak para festimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Gjatë fjalës së rastit në Parlamentin shqiptar Clinton kishte deklaruar se “SHBA-të kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vjet të tjera”. Kuptohet, ndër arsyet e kësaj vizite ishte rehabilitimi dhe strehimi i muxhahdineve iranianë në territorin shqiptar.

Në vitin 2016 në tokën shqiptare ateroi edhe Sekretari John Kerri. Motivi themelor i kësaj vizite ishte inkurajimi i reformave në drejtësi nga autoritet shqiptare. “Reforma në Drejtësi është jetike. Shqiptarët duan gjyqtarë e prokurorë që i përmbahen ligjit e jo partisë në pushtet. E di që është e vështirë të kapësh ata që janë bërë të lumtur me procesin e shmangies së përgjegjësive që ndajnë me gjithë kombin e tyre, duke u përfshirë në një formë të aktivitetit korruptiv apo një formë tjetër”, kishte deklaruar Kerry.

Kështu, Antoni Blinken po bëhet Sekretari i gjashtë amerikanë i Shtetit që po ateron në Shqipëri. Kjo vizitë tregon për rëndësinë gjeopolitike që ka  shteti shqiptar për interesat nacionale të Amerikës. Sidomos në një kohë, kur siguria globale po bëhet gjithnjë e më fragjile, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, luftës në Lindje të Mesme, tensioneve të rritura në Ngushticën e Tajvanit dhe pasigurisë gjithnjë e më të madhe në Ballkanin Perëndimor. Në arsyetimin e vizitës nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se për SHBA-të Shqipëria mbetet një  “partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleate e fuqishme në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.”