Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pranuar një letër urimi nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden me rastin e festës kombëtare të 15 shkurtit, raportojnë mediat në Serbi.
Në letrën e Biden drejtuar Vuçiqit, pos tjerash thuhet që SHBA-të do të mbështesin Serbinë drejt anëtarësimit në BE.
Tutje raportohet se Biden në letrën e tij ka inkurajuar Serbinë që të vazhdojë me progresin e arritur vitin e kaluar në dialogun me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga BE.
“SHBA-ja mbështet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi”, thuhet në letrën e Biden.
Presidenti amerikan ka përmendur edhe çështjen e marrëveshjes me Kosovën.
“Marrëveshja për normalizim dhe implementimi i saj paraqesin hapa kyçë drejt një të ardhme më të qetë dhe të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, nënvizohet në urimin e presidentit të SHBA-ve. /Telegrafi/