Izraeli u bëri thirrje sot agjencive humanitare të OKB-së që ta ndihmojnë atë në evakuimin e civilëve nga zonat e luftës së Gazës, përpara një sulmi të planifikuar në qytetin Rafah në kufirin me Egjiptin, i cili është plot me palestinezë të zhvendosur dhe po forcon masat e sigurisë.
“Ne po u bëjmë thirrje agjencive të OKB-së që të bashkëpunojnë,” tha zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy në një konferencë.
“Mos thoni se nuk mund të bëhet. Punoni me ne për të gjetur një mënyrë”, shtoi ai.
Egjipti ka rritur sigurinë përgjatë kufirit me Gazën, thanë dëshmitarët dhe një burim sigurie për DPA.
Forcat e sigurisë dhe patrulla intensive u panë përgjatë kufirit, veçanërisht në zonat e kalimit Rafah dhe Kerem Shalom, thanë dëshmitarët.
“Forcat u vendosën pasi Izraeli njoftoi të premten se do të nisë një operacion ushtarak në qytetin kufitar Rafah”, tha një zyrtar i sigurisë për dpa.
Burimi tha se operacionet e mirëmbajtjes ishin duke u zhvilluar për të rritur lartësinë e gardhit dhe për të përforcuar telat me gjemba të dëmtuara nga bombardimet izraelite. /Telegrafi/