Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend
Haradinaj ka falënderuar ambasadorin amerikan për angazhimin e Ambasadës në mbështetje të vizitës së tij të fundit në ShBA.
“Prita në selinë Aleancës, Ambasadorin amerikan në Kosovë, z. Jeffrey Hovenier, me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit në vend. Ambasadorin Hovenier e falënderova personalisht për angazhimin e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë në mbështetje të vizitës që realizova në Amerikë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Tutje ai ka theksuar se Hovenierin e ka informuar për takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës në ShBA, derisa ka shkruar se aleanca mes dy vendeve është e përjetshme.
“Z. Hovenier e njoftova për temat e diskutimit gjatë takimeve që kisha në Department të Shtetit, Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, Pentagon, Kongres dhe Senat, ku kërkova që dialogu strategjik Kosovë-Amerikë të shtrihet në marrëdhënie bilaterale dhe të ndodhë me hapa të përshpejtuar anëtarësimi i Kosovës në NATO. Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë”, ka shkruar kryetari i AAK-së.