Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kurti për ‘Bloomberg’: Nuk e kthejmë pas vendimin e BQK-së për dinarin

Kurti për ‘Bloomberg’: Nuk e kthejmë pas vendimin e BQK-së për dinarin

Kryeministri Albin Kurti sot ka thënë se i qëndron rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, edhe pse vendimi është kritikuar nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Kurti në një intervistë dhënë mediumit britanik “Bloomberg” ka thënë se Qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Ai ka shtuar se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

“Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese, nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka deklaruar Kurti.

Kujtojmë se dje Kurti përmes një video në serbisht ka njoftuar se e ka nisur “fushatën” e tij informuese për dinarin, për serbët e Kosovës, duke folur në gjuhën serbe, ashtu siç tha se do të bëjë edhe kur foli të shtunën në KS të OKB-së në New York.

Kurti tha se Kosova nuk e ndaloi dinarin, ashtu siç nuk e ndaloi as dollarin, as funtën dhe as frangun zviceran.

“I vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro. Kjo politikë mbron qytetarët nga kërcënimet e krimit të organizuar, trafikimit me armë dhe pastrimit të parave. Deri më tani, mënyra e futjes dhe transportit të parave përtej kufinjëve u mundësonte grupeve kriminale të merrnin para të importuara ilegalisht, duke forcuar kështu ndikimin e tyre mbi popullin, duke frikësuar masat dhe duke inkurajuar kriminelët nga kreu i shtetit serb”, thotë Kurti.

 

Themes by WordPress