Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe tre deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, rrezikon që më 21 mars 2024 t’i parashkruhet vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Në këtë rast, ministri Sveçla dhe tre deputetët nga radhët e LVV-së, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare e si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit.
Parashkrimi, është paraparë si institut të veçantë, duke përcaktuar afate kohore për ndjekje dhe gjykimin e personit të akuzuar.
Vepra penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, me të cilën ngarkohen Sveçla dhe tre tjerët, sipas nenit 409, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), del se është e dënueshme prej 3 muaj deri 3 vite burgim.
Andaj, sipas KPRK-së, del se vepra penale në fjalë parashkruhet më 21 mars të këtij viti, pasi arrihet dyfishi i periudhës së dënimit të paraparë me këtë vepër, nga koha e kryerjes së veprës penale, duke bërë kështu që të akuzuarit të mbeten pa u gjykuar për këtë vepër penale.
Aktualisht, në këtë rast ende nuk ka arritur të mbahet shqyrtimi fillestar. Seanca e paraparë për 6 shkurt 2024, dështoi për shkak të mungesës së deputetes Millaku.
Krahas veprës së lartpërmendur, ndaj tyre rëndon edhe akuza për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, e cila është e dënueshme prej 1 muaj deri në 8 vite burgim dhe se parashkrimi për këtë vepër penale arrin në mars 2038.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.