Klinika Obstetrike dhe Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës aktualisht gjendet në fazën e renovimeve.
Drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj thotë se pas renovimeve, kushtet në këtë klinikë do të përmirësohen.
“Në Klinikën e Gjinekologjisë jemi në renovim në tri reparte të mëdha që janë të rëndësishme, në dy reparte të lehonave, dhe renovime në ambulancën specialiste. Renovimet pritet të zgjasin rreth tre muaj. Pas renovimit presim përmirësim të punës dhe përmirësim të kushteve për pacientë, kushte higjinike, kushte të komodimit, qëndrimi në spital”, ka thënë Ndrejaj për Telegrafin.
Gjithashtu, Ndrejaj bëri të ditur se janë në pritje që në klinikë të aktivizohet edhe reparti për Fertilizimi In Vitro.
“Presim edhe këtë vit aktivizimin e reaprtit të IVF( Fertilizimi In Vitro), është në procedurë të tenderimit, sapo të përfundojë procedura edhe ai repart të fillojë punën”, tha mes tjerash drejtori.
Gjatë intervistës, Ndrejaj ka folur edhe për stafin që është aktualisht në këtë klinikë, derisa tha se në të ardhmen do të shtojnë stafin e infermierëve, pasi që stafi që është tani është më i vjetëruar dhe brenda pak vitesh ata do të pensionohen.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës harxhuan rreth 5 milionë euro në vit në klinika private, shërbimi IVF do të kryhet në institucione publike.