Kanë vërshuar komentet në rrjetet sociale për paraqitjen dhe ballafaqimin e Kurtit me Vuçiq në Këshill të Sigurimit. Pjesë e këtyre vlerësimeve, pos analistëve, u bënë edhe protagonistë politikë si nga pozita ashtu edhe nga opozita.
Ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka vlerësuar se mbledhja e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte tërësisht e panevojshme për Kosovën.
Në një postim në Facebook, Hoti ka theksuar se u dëshmua se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Ballafaqimi në Këshillin e Sigurimit ishte totalisht i panevojshëm, joproduktiv dhe i dëmshëm për Kosovën. U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit. Kjo qajse e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet.
Ndërsa nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se fjala e Kosovës në OKB ka rëndësi ka vetëm nëse mbështet nga partnerët. Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se është marrëzi që Qeveria e Kosovës e ka sjell situatën deri në këtë pikë. “Kuptojeni, në OKB rëndësi ka fjala jonë nëse e mështesin aleatët. Dëgjojeni fjalimin e Ambasadores së SHBA-ve. Dhe aleatëve tanë. Mjerim dhe marrëzi që Qeveria jonë e solli punën në këtë pikë. Sa më pak që të flitet në KS OKB për ne, aq më mirë.” – shkroi ajo.
Pos politikanëve nga Kosova për këtë ngjarje ka reaguar edhe Kryeministri i shtetit shqiptar Edi Rama.
Në platformën e tij X ai ka shkruar ajo “ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm. Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare.”, ka përfunduar Rama.
Mirëpo, është interesante se për këtë ballafaqim të Kurtit me Vuçiq-in deri më tani nuk kanë reaguar dhe s’janë prononcuar dy nga liderët kryesorë të opozitës në Kosovë, si kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ashtu edhe Kryetari i LDK- së Lumir Abdixhiku.
Një heshtje e tillë është e pakuptueshme. Sepse pikërisht ata të parët do të duhej shprehnin qëndrimin e tyre për ketë temë. Se a janë partizanë apo po e konsiderojnë si një teatralizim të kotë të Kurtit qëndrimin e tij në Këshill të Sigurimit.
/TV Arbëria