Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u mbajt dje me temë diskutimi e rregullores së BQK-së për ndalimin e dinarit serb ka shkaktuar një reagim të madh si vendor ashtu edhe ndërkombëtar.
Kjo mbledhje u ftua nga Serbia. Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin si presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Të dy liderët këmbyen akuza dhe kundërakzua ndërmjet vete. Serbia këtë vendim e quajti si “sulm ndaj serbëve”, kurse Kurti pohoi se “rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës synon të mbrojë qytetarët nga aktivitetet e paligjshme.
Për ish-kyrenegociatorën e Kosovës, Edita Tahiri, megjithatë kjo shfaqje ishte një goditje diplomatike për Kosovën. Në një postim në rrjetin e saj social, ajo pohoi se dinari u ndërkombëtarizua deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Dinari u ndërkombëtarizua deri ne Këshillin e Sigurimit – kur Shefi i parë i UNMIKUT De Melo provonte te na bindte se në Kosove duhet të vazhdojnë ligjet që kanë qenë në fuqi para luftës pra edhe dinari, ne i përmbysem këto insistime te OKB. Sot me pazotësinë e Kurtit dinari u bë çështje ndërkombëtare, në vend se te promovohej suksesi jonë që atëherë u bëmë shteti i parë që e përdorte valutë evropiane dhe jo jugosllave. Gjatë okupimit zbatuam markën gjermane, pasluftës euron. Kosova ka shënuar suksese historike, por ja që solli një kryeministër që i kthen mbrapa arritjet tona”, shkroi Tahiri në Faacebook.
Ndërkohë, në një intervistë për Tëvë1, analisti dhe ligjëruesi universitar, Dritëro Arifi ka pohuar, se “Kurti doli fitues ndaj Serbisë, por jo ndaj ShBA-së. ShBA-ja publikisht e qortuan vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe kërkuan që të pezullohet. Ishte një fjalim i definuar qartë, pra pa dorëza diplomatike”.
I befasuar me këtë sjellje të kryeministrit të Kosovës është shprehur edhe Charles Kupchan, profesor në Universitetin Georgetown dhe ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara.
Në një interviste për mediumin Evropa e Lirë ai ka pohuar, se “Nuk mendoj se kjo është në interesin e Kosovës. Nëse kthehemi në vitin 1999 dhe menjëherë pas vitit 2008, Serbia është parë si problem, Serbia është parë si vend që e vështirësonte jetën, duke nxitur telashe në veri të Kosovës dhe duke refuzuar të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve”.
Ndërkohë, tani Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kritikojnë Kosovën. Pra, nga një këndvështrim i gjerë, nuk jam i sigurt se këto veprime – edhe nëse janë të justifikueshme për sa u përket të drejtave sovrane – janë të dobishme, ka shtuar ndër të tjera Kupchan.
Në anën tjetër eksperti amerikan i politikës së jashtme dhe pedagogu në Shkollën e Studimeve të Avancuara në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph në një analizë të tij në X thekson se në vend të presionit ndërkombëtar fokusuar drejt Beogradit, ku edhe Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zgjedhjet në Serbi, me të cilën kërkohet një hetim ndërkombëtar për mashtrime, Kurti po ftohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për edhe një moskoordinim rreth çështjes euro/dinar.
Për të tepër, Joseph ka pohuar se “Kjo seancë e KS të OKB-së duhet të shënojë një pikë kthese në politikën e Prishtinës. Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë partiakë duhet të kuptojnë dëmin e vetëshkaktuar ndaj interesave kombëtare të Kosovës nga populizmi i pandërprerë. Tani është koha për të ndryshuar kursin, Kurti duhet të prodhojë një plan, jo një ndalim”.
“Së dyti, mënyra e vetme për t’u rikuperuar nga një autogol është të shënosh në rrjetën tjetër”, shkruan Joseph. “Shkurtimisht, tregojini të gjithëve ndryshimin midis mënyrës se si një demokraci i trajton qytetarët e saj pakicë – dhe një autokracie të dëshpëruar për t’u kapur pas pushtetit. Godite topin përpara, Albin, jo prapa”, ka përfunduar analisti amerikan.
/TV Arbëria