Elza Ujkani, vajza e cila u lëndua rëndë si pasojë e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës para rreth dy javësh, është në gjendje stabile shëndetësore.
Ajo brenda disa ditësh pritet të lirohet nga spitali. Kështu tha për Gazetën Insajderi drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë Besnik Elshani
“Pacientët që vijnë në repartin tonë janë jashtë rrezikut për jetë. Gjendja e saj është stabile. Është duke u trajtuar tek ne. I kemi marrë të gjitha masat e nevojshme, analizat laboratorike dhe konsultimet e tjera të nevojshme. Brenda disa ditësh, kur them ditësh mund të nënkuptojë ditë apo edhe disa javë, ajo mund të lirohet nga trajtimi spitalor. Por, ne shpresojmë që shumë shpejt kjo të ndodh”, tha Elshani për Insajderin.
Elza Ujkani u lëndua rëndë më 18 janar, teksa po ecte në afërsi të ndërtesës së re të komunës së Prishtinës, si pasojë e rënies së kulmit.
Ndryshe, 23-vjeçarja është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani.