Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kurti mes ‘zjarrit të aleatëve’: Lëshoje ‘bajrakun’ ose përballu me ‘sanksione të reja’

Kurti mes ‘zjarrit të aleatëve’: Lëshoje ‘bajrakun’ ose përballu me ‘sanksione të reja’

Rregullorja e re e BQK-së ka hyrë në fuqi nga 1 shkurti, e cila parasheh se valutë të vetme në Kosovë lejon vetëm euron, duke ndaluar kështu përdorimin e dinarit serb. Por një gjë e tillë ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te bashkësia ndërkombëtare ku reagimet e tyre kanë qenë të shpejta dhe madje ‘kërcënuese’ nga vendet e QUINT-it të cilat përmes një deklarate të lëshuar kërkuan shtyrjen e zbatimit të kësaj rregulloreje, derisa nga Brukseli u kërkua që kjo çështje të flitet në Bruksel, kurse DASH u shpreh i zhgënjyer me Kosovën për zbatimin e këtij vendimi.

LEXO EDHE: 

Ambasadorët e QUINT-it ‘zbarkojnë’ në zyrën e Kurtit, presion i madh për vendimin e dinarit

 

Ambasadat e SHBA-ve, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë janë mobilizuar duke ngritur shqetësimin e tyre të jashtëzakonshëm për ndikimin e rregullores së re në veçanti në shkolla dhe spitale, derisa kanë theksuar se kjo çështje duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut.

Përderisa nga Bashkimi Evropian u shprehën të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së ‘konsultimeve të mëhershme’.

“BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment. Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”, u tha në deklaratën e BE-së, ditë më parë.

LEXO EDHE:

Sërish reagon Stano: Operacionet e policisë dhe rregullorja e BQK-së hapa shqetësues

Kurse Departamenti Amerikan i Shtetit tha se është thellësisht i zhgënjyer me planet aktuale të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë dinarin serb.

“Ne bëjmë thirrje sërish që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet menjëherë derisa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha kalimtare. Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, u tha në një përgjigje të DASH për Zërin e Amerikës.

DASH kërkoi nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

LEXO EDHE: 

Shqetësimet e SHBA dhe BE për ndalimin e dinarit, BQK del me 20 sqarime për Rregulloren e re

E pas këtyre kërkesave dhe kritikave të shumta, kryeministri, Albin Kurti ka mbledhur dje në Qeveri të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovës, e ku në fokus ishte rregullorja e re e BQK-së.

Më i zëshmi ndaj Kurtit ishte ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili edhe të enjten e kaluar zhvilloi një takim me Kurtin për çështjen e dinarit, duke qënë i prerë në qëndrimin e ShBA-së për shtyrjen e vendimit.

Madje, Hovenier ka theksuar se lidhur me këtë vendim do të lërë Qeverinë të flas.

Ambasadori amerikan tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë partnere me ShBA-në, pasi në të kundërten do të ketë ndikim në kualitetin e partneritetit me ta.

LEXO EDHE:  

Hovenier pas takimit me Kurtin, insiston në shtyrjen e zbatimit për dinarin, paralajmëron ‘sanksione’

E pas takimit me ambasadorët e akredituar, Kurti tha se rregullorja e re nuk ka cak ndalimin e dinarit.

“Kryeministri tha se as situata në terren e as përmbajtja e rregullores nuk është ashtu si portretizohet nga Serbia. Rreth 40 mijë qytetarё serbё në Kosovë kanë llogari bankare në njërën nga bankat e licencuara në Kosovë. Përmes tyre ata pranojnë pensione, mbështetje sociale, paga mujore, shtesa për fëmijë e lehona, e shtesa tё tjera të njëhershme nga thesari i shtetit të Kosovës”, u tha në njoftimin e ZKM-së.

LEXO EDHE: 

Zhurma për dinarin serb, Kurti ua sqaron diplomatëve të huaj në Kosovë, esencën e rregullores së BQK-së

Derisa kryeministri Kurti lidhur me vendimin për dinarin dhe strukturat paralele iu ka dorëzuar disa dokumente ambasadorëve të QUINT-it.

LEXO EDHE:

‘Dinari dhe strukturat ilegale serbe’, ja dokumentet që Kurti ua dorëzoi ambasadorëve të QUINT-it

E lidhur me këtë foli dje edhe presidentja, Vjosa Osmani e cila mes tjerash tha se rregullorja e BQK-së nuk e përmend dhe nuk është kundër dinarit, ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave.

Kurse Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka dhënë detaje rreth Rregullores së re të BQK-së për operacionet me paratë e gatshme, e cila hyri në fuqi nga data 1 shkurt 2024.

Sipas Rregullores, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.

Ismaili tha se mosveprimi për këtë çështje do të ishte përgjegjësi më e madhe sesa veprimi.

LEXO EDHE: 

Vendimi për dinarin, guvernatori: Kjo është luftë kundër pastrimit të parasë dhe terrorizmit

E lidhur me këtë ‘heroizëm’ të Kurtit karrshi ndërkombëtareve ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri.

Ajo për TV Arbëria ka qenë e shkurtër, duke theksuar se shtyerja e një vendimi nuk është shkelje e kushtetutës por mbrojtje, mirëpo moskoordinimi me Amerikën është shkelje e aleancës se shenjtë.

Por se si do të veprojë kryeministri tani e tutje dhe a do ta lëshojë ‘bajrakun’ duke e shtyer vendimin për dinarin serb mbetet të shihet në ditët e ardhshme, megjithatë presioni është i madh, dhe si i tillë ky vjen nga shtetet aleate që e mbështetin fuqishëm Kosovën në rrugëtimin e saj integrues.

Prandaj Kurti dhe Qeveria e vendit kanë mbetur mes dy zgjidhjeve, që e para do të jetë jetike për të ardhmen e vendit që ka të bëjë me shtyrjen e vendimit për rregulloren e BQK-së dhe në këtë formë edhe zhbllokohet vazhdimi i dialogut, derisa zgjidhja e dytë nëse vazhdohet me këtë avaz, mund të shtohen sanksionet nga BE sikurse edhe të fuqizohen ato nga SHBA. /TV Arbëria