Serbia ka paraqitur kërkesë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit(KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për çështjen e dinarit, përkatësisht Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, ku dinari serb ndalohet si valutë për blerje dhe shitje në tregun e Kosovës.
Ambasadori i Serbisë në misionin e OKB-së, Nemanja Stevanoviq, sipas mediave serbe, ka dorëzuar kërkesën e Serbisë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, “për shkak të situatës në Kosovë”.
Të premten e dy shkurtit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte paralajmëruar për një seancë të KS-së për shkak të rregullores së re të BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e mëtejmë të dinarit në Kosovë.
“Kërkesa tërheq vëmendjen për gjendjen aktuale në territorin e Kosovës që është në kontrast të thellë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe thekson se një situatë e tillë kërkon mbajtjen e një seance të veçantë të Këshillit të Sigurimit. Kërkesa i është dorëzuar Misionit të Guajanës në misionin e këtij shteti që aktualisht është kryesuese e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e Serbisë.
”Të gjithë nga kori diplomatik që foli për këtë çështje shprehu shqetësime shumë të ngjashme për mënyrën e zbatimit të saj. Unë vetëm mund të përsëris atë që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin. Ajo që shpresojmë të shohim është një pezullim në zbatimin e kësaj rregulloreje derisa të punohet më shumë”, ka thënë Hovenier.