Shërbimi rus i emergjencave tha se një nga helikopterët e tij është rrëzuar në liqenin Onega, në rajonin veriperëndimor të Karelias, duke vrarë tre anëtarët e ekuipazhit në bord.
Komunikimi me helikopterin Mi-8, i cili ishte në një mision stërvitor, u humb më 4 shkurt, tha shërbimi.
Autoritetet thanë se shkaku i rrëzimit nuk dihet, ndërsa shtuan se lidhur me këtë është hapur një hetim.
Mbetjet u gjetën rreth 11 kilometra nga bregu i liqenit – i dyti më i madh në Evropë – në një thellësi prej 50 metrash, tha Ministria e Emergjencave në një deklaratë më 5 shkurt.
Autoritetet njoftuan se janë angazhuar më shumë se 140 specialistë dhe 33 pajisje, si dhe zhytës nga Qendra për Operacione Shpëtimi me Rrezik të Veçantë e Ministrisë së Emergjencave.
Zhytjet do të zhvillohen në një thellësi maksimale prej 60 metrash, ndërsa nën ujë do të veprojnë edhe mjetet nënujore me telekomandë, që mund të veprojnë deri në 300 metra thellësi./REL