Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Guvernatori Ismaili fton serbët të hapin llogari bankare, sqaron se dinarët nuk janë të ndaluar të mbahen në xhep

Guvernatori Ismaili fton serbët të hapin llogari bankare, sqaron se dinarët nuk janë të ndaluar të mbahen në xhep

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se serbët lokalë mund të pranojnë çfarëdo lloje ndihme nga Serbia por që ato duhet të jenë në kanale zyrtare dhe të ligjshme e në euro.

Ismaili tha se Rregullorja nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar ndërsa shtoi se koha do të dëshmojë që do të jenë ata që do përfitojnë nga ky vendim.

“Me përgjegjësinë e plotë them se kjo nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar. Unë ju siguroj që kur këta qytetarë të hapin llogari bankare, kur të jenë në sistemin financiar do të përfitojnë prej benefiteve, kanë me qenë pjesëtarë të barabartë. Kur të tërhiqen nga sistemi ilegal që kanë qenë me dijeni, do të kuptojnë që nuk ka qenë për kritikë por për t’i nxjerrë nga një situatë” – tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ismaili u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të hapin llogari bankare në Kosovë dhe të bëhën pjesë e sistemit bankar.

“Iu bëj thirrje qytetarëve serbë që të hapin llogari bankare, që të jenë pjesë e sistemit unik të Kosovës. Bëj me dije se askush nuk është i ndaluar të pranojë fonde, askush nuk është i ndaluar të mbajë në xhep dinarë, askush nuk është i ndaluar që të konvertojë por duhet me kuptu që në sistemin juridik të Kosovës euro është i vetmi mjet i pagesës. Neve na interson që qytetarët serbë me pranu çfarëdo ndihme nga Serbia por në kanale të ligjshme, transparente. Lejimi në kundërligjshmëri i ka ekspozu drejt rreziqeve vetë ata. Kështu që ju kisha lutur që kjo është për të mirën e tyre dhe jo në dëmin e tyre” – theksoi ai.

/TV Arbëria

Powered by WordPress