Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Facebook shënon 20 vjetorin e themelimit

Facebook shënon 20 vjetorin e themelimit

Ndonëse platforma Facebook shënon 20 vjetorin e themelimit, qëllimi i saj për të mundësuar komunikimin e njerëzve në internet nuk ka ndryshuar kurrë.

Që nga viti 2004 rrjeti social më i njohur në botë është ridizajnuar dhjetëra herë.

Përpara krijimit të Facebook kanë ekzistuar rrjete sociale si MySpace, megjithatë platforma e Mark Zuckerberg dëshmoi se sa shpejt mund të fitonte popullaritet duke mbledhur një milionë përdorues në më pak se një vit.

Aktivitetet të cilat i ndryshonte vazhdimisht si etiketimi i miqve në fotografi, ishin veprime mjaft tërheqëse për përdoruesit e atëhershëm.

Deri në vitin 2012, Facebook kishte një miliard përdorues në muaj, dhe që atëherë numri i tyre ka vazhduar të rritet.

Në fund të vitit 2023, platforma raportoi se kishte 2.11 miliardë përdorues në ditë, duke mbetur kështu rrjeti social më i popullarizuar në botë i cili ka sjellë një epokë të re të aktivitetit social.

Tashmë, Facebook funksionon në kuadër të gjigantit të reklamave, Meta.

Përveç të mirave që ky rrjet social i ka sjellë botës, Meta është gjobitur disa herë për keqpërdorim të të dhënave personale.

Rasti më i njohur është skandali i Cambridge Analytica në vitin 2014, ku kompania u detyrua të paguante 725 milionë dollarë për të zgjidhur çështjen ligjore.

Gjithashtu, reklamat kanë bërë që Facebook të bëhet një nga platformat kryesore për realizimin e fushatave zgjedhore, duke ndryshuar kështu edhe politikën bazë të vendeve.

Madje, thuhet se gjatë Pranverës Arabe, Facebook dhe Twitter luanin rolin e koordinatorëve të protestave dhe ndihmonin në përhapjen e lajmeve për atë që po ndodhte.

Me suksesin e madh të Facebook, Zuckerberg thuhet se ka ndërtuar një perandori teknologjike të pa konkurrentë sa i përket përdoruesve dhe fuqisë.

Në vitet e ardhshme, një nga prioritetet kryesore të Meta-s mbetet Inteligjenca Artificiale. /Telegrafi/

Powered by WordPress