Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pse nuk reflekton “drejtësi” dhe “pavarësi kushtetuese” vendimi për ndalimin e dinarit?

Pse nuk reflekton “drejtësi” dhe “pavarësi kushtetuese” vendimi për ndalimin e dinarit?

Shkruan: Afrim Kasolli- Nëse ka diçka që e ka dalluar arsyetimin publik të kësaj qeverie për veprimet që ka ndërmarrë me synim integrimin e komunitetit serb në kuadër të strukturave shtetit të Kosovës, ka qenë argumenti për shtrirje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në çdo cep të Kosovës. Kosova është vend sovran dhe i pavarur, prandaj ligji dhe kushtetuta duhet të vlejnë në çdo pjesë të territorit.

Një retorikë e tillë u përdor nga përfaqësuesit e shtetit të Kosovës edhe ndaj kërkesës së mëhershme ndërkombëtare për shtyrje të afatit për targat. Qeveria e pat refuzuar thirrjen personale të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken për shtyrje të afatit për dhjetë muaj, pak a shumë me këtë argument.

Ndonëse, pak para skadimit të afatit, kryeministri Kurti, u pajtua me rekomandimin e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, për një shtyrje prej 48 orësh, me arsyetimin se ky i fundit kishte informata më shumë se sa i pari. Kjo çështje më pastaj përfundoi në tavolinën e dialogut në Bruksel. Kurse reaksionet që u prodhuan nga ky veprim dihen nga të gjithë ne.

Ndërkohë, kjo logjikë është duke e shoqëruar edhe miratimin e rregullores së fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për ndalimin e dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe dhe kërkesën ndërkombëtare për pezullim të afatit saj.

Në disa prononcime, zyrtarët qeveritarë kanë pohuar se ky vendim është marrë nga institucionet e pavarura kushtetuese, siç është BQK dhe po ashtu ai është në funksion të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.

Fillimisht, numri dy i Qeverisë së Kosovës gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, pat deklaruar se Kushtetuta duhet të zbatohet në tërësi, “kur është fjala te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking [përzgjedhjen më të favorshme]”, kishte përfunduar Bislimi.

Kurse kryeministri Albin Kurti me një formulim pak a shumë identik ishte shprehur se “rregulloret dhe vendimet e BQK-së janë plotësisht në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe janë të panegociueshme”. Prandaj, “duhet që të mos i ushtrohet presion Guvernatorit të Bankës Qendrore në zbatimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore”.

Pretendime të tilla tentojnë të përçojnë mesazhin se kërkesat e Komunitetit Ndërkombëtar janë të padrejta dhe anti-kushtetuese të cilat e cenojnë sundimin e ligjit. Dhe në një shtet demokratik ligji nuk guxon t’i nënshtrohet kërkesave të politikës.

Mirëpo, problemi është se pikërisht këtë arsyetim që pushteti aktual po e përdor për të delegjimtuar kërkesat “jo kushtetuese, jo ligjore dhe jo të drejta të faktorit ndërkombëtar”, po e shpërfill me veprimet e tij politike.

Ishte raporti organizatës së njohur ndërkombëtare, Transparency International, që para pak dite dëshmoi se pushteti aktual “nuk ka gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor”, për më shumë edhe e ka penguar luftën kundër korrupsionit.

Pra, “ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në çështjet e gjyqësorit, e ilustruar me shkarkim të shefit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, bashkë me ndërhyrjen e deputetëve të shumicës në hetimin parlamentar për një rast të madh të korrupsionit, sugjerojnë se nuk ka vullnet politik për të hequr dorë prej kontrollit dhe për forcim të mbikëqyrjes së pavarur”, konstatonte raporti.

Po ashtu, as pretendimi i ekzekutivit se BQK-ja është një institucion i pavarur kushtetues nuk qëndron, sepse strukturat e saj drejtuese sot janë “kolonizuar” politikisht me militantë të partisë në pushtet.

Prandaj, t’u thuash partnerëve ndërkombëtarë se nuk mund të bëhet kompromis me sundimin e ligjit në disa çështje sensitive politike dhe në anën tjetër të shndërrohesh në pengesë për zbatimin e këtyre standardeve në pjesën tjetër Kosovës, ku nuk ekzistojnë ngarkesa të tilla politike, nuk është asgjë tjetër pos shtrembërim i të vërtetës historike me rrugëtimin e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe shfrytëzim i nocioneve të drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe sundimit të ligjit, vetëm si paravan për motive politike.

Fillimisht duke e përdorur të parën për përfitime të brendshme elektorale dhe së dyti duke e çimentuar këtë pushtet nëpërmjet “ndërhyrjeve të vazhdueshme të Qeverisë në çështjet e gjyqësorit”. Kontradikta, të tilla nuk kalojnë lehtë nga ata që u themi natë e ditë partnerë të shtetit të Kosovës.

/TV Arbëria