Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeministri pa komunikatë për media për takimin me ambasadorin amerikan

Kryeministri pa komunikatë për media për takimin me ambasadorin amerikan

Angazhimi “personal” i ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, për shtyrje afatit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb në vendbanimet e banuara nga komuniteti serb u vërejt edhe dje, duke i shkuar në zyre të Qeverisë Kryeministrit Albin Kurti.

Një gjë të tillë ai e kishte bërë edhe më herët me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Ndërkohë, pas takimit me kryeministrin Kurti, diplomati i SHBA-ve në vendin tonë, iu drejtua mediave, ku shprehu shqetësimin tij dhe shtetit që përfaqëson për mungesën e një trazicioni të duhur për këtë rregullore.

Ai pohoi se kjo “çështje meriton konsideratë më të kujdesshme, por edhe diskutim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar që potencialisht do të eskalojë tensionet etnike dhe të tregohet problematik për jetët e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës”.

Mirëpo, është interesante se Qeveria e Kosovës nuk ka lëshuar asnjë komunikatë zyrtare për këtë takim. Zakonisht në raste të tilla informohet opinioni, si për qëllimet e takimit, temat e bisedës dhe (mos)marrëveshjet ndërmjet palëve.

Bie fjala, për këtë çështje janë lëshuar komunikata si për takimin ndërmjet kryeministrit Kurti me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Madje, zyra e kryeministrit s’ka nguruar të lëshojë komunikatë as kur i pari Qeverisë së Kosovës së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i kishte pritur krerët politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet. Takim ky, që të dy palët kishin shprehur propozimin për një president shqiptar në Maqedoni të Veriut.

Mirëpo, çuditërisht Qeveria që nga dje nuk e mori mundin që ta informonte opinionin se çka kanë biseduar Kryeministri me ambasadorin amerikan, (në dallim nga Presidentja, Vjosa Osmani që nëpërmjet një komunikate tregoi për takimin që ka pasur me përfaqësuesin e ShBA-së në Kosovë) për një temë e cila është duke i thelluar dita ditës tensionet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

/TV Arbëria