Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Rikthehet kërcënimi amerikan ndaj Kosovës

Rikthehet kërcënimi amerikan ndaj Kosovës

Zbatimi i rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb në vendbanimet e banuara nga komuniteti serb u shoqërua me paralajmërime të ashpra dhe kërcënuese të Uashingtonit ndaj Prishtinës.

Fillimisht Ambasadori Amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier i shkoi në zyre kryeministrit Kurti. Pas këtij takimi, diplomati amerikan para mediave deklaroi se po e “përsëris çfarë kemi thënë bilateralisht si ShBA, por edhe çfarë kemi thënë si QUINT, ne kemi shqetësime të vërteta dhe rezervime për zbatimin e këtij para se të jetë krejt e gatshme. Ne e kundërshtojmë këtë tani”. Ai në fund paralajmëroi se ky veprim mund të sjell tensione të reja etnike.

Ndërkohë, pas pak kohe ndaj këtij vendimi reagoi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Sipas komunikatës së DASH-it “ky vendim u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat. Dhe se veprime të tilla të njëanshme të Prishtinës e kufizojnë avokimin ndërkombëtar të Uashingtonit për Kosovën. Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, përfundon komunikata e DASH-it.

Këtu duhet kujtuar se kjo nuk është hera e parë që acarohen raportet e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në kohën e administratës së –ish presidentit Trump, kur kryeministri Kurti, pat refuzuar që t’i përgjigjej ftesës së Uashingtonit për një marrëveshje në Shtëpinë Bardhe të ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell.

Ndërkohë, këto tensione arritën kulmin në vitin e kaluar, kur Sekretari i shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, tha se i “dënon fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që i përshkallëzojnë tensionet në veri dhe se do të kenë pasoja në marrëdhëniet dypalëshe të SHBA-së me Kosovën”. Ndërkaq, Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për të mediat huaja e quajti këtë deklaratë “të padrejtë, të gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive”.

Kjo çarje e re diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Uashingtonit po ndodh pak ditë pasi Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien u shpreh se “liderët e Ballkanit nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime. Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”.

/TV Arbëria