Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > BQK: Kalon mbi 320 mijë numri i përfituesve që kanë llogari pagese me shërbime bazike

BQK: Kalon mbi 320 mijë numri i përfituesve që kanë llogari pagese me shërbime bazike

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton se bazuar në të dhënat e fundit të disponueshme, numri i llogarive me shërbime bazike ka kaluar shifrën prej 320 mijë përfituesish, sipas përcaktimeve të Rregullores së BQK-së për qasjen në Llogari Pagese me Shërbime Bazike.

Rregullorja përcakton se për kategoritë e konsumatorëve që i përkasin grupit të konsumatorëve të cenueshëm që përfitojnë nga të drejtat e parashikuara me legjislacionin që rregullon pensionet dhe asistencën sociale në Republikën e Kosovës, nuk do të kenë tarifë, pra do të janë falas nga 1 janari 2024.

Kurse, për kategoritë e tjera, bankat do të ofrojnë shërbimet e përcaktuara me një tarifë të arsyeshme mujore që nuk mund të jetë më e lartë se 0.12% e vlerës së pagës mesatare neto mujore në Republikën e Kosovës, publikuar më së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Procesi i konvertimit të Llogarive rrjedhëse me Shërbime Bazike, sipas kushteve të Rregullores, si dhe hapjes së atyre të reja është proces në vijim që nuk ka afat të përfundimit, ndaj BQK-ja u bën thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën që të hapin llogari bankare në çdo bankë, duke përfituar nga Rregullorja për Llogari Bazike, ku për grupet e cenueshme llogaria bankare është falas ose për grupet tjera, me tarifa të arsyeshme.

Në kuadër të një qasje proaktive, me qëllim të lehtësimit të procesit dhe reduktimit të barrës për qytetarin, për të gjithë ata që tashmë kanë një llogari bankare dhe plotësojnë kriteret për llogari bazike, BQK me vetë-iniciativë ka zhvilluar veglën teknike të verifikimit online nga çdo bankë në Regjistrin e Llogarive Bankare të BQK-së. Kjo mundëson që banka të verifikojë lehtësisht dhe aty për aty nëse një qytetar ka ose jo llogari tjetër bankare, që mundëson konvertimin me efikas në llogari bazike, sipas kritereve të përcaktuara.

BQK-ja si pjesë e objektivave të saj strategjike është e përkushtuar që të rrisë qasjen në financa dhe konkurrueshmerinë e sistemit financiar dhe me vendimet e saj që të kalojë nga llogaria bankare në konceptin e llogarisë se pagesave. Llogaria e pagesave mund të ofrohet edhe nga institucionet jobankare, që me ndryshimet e reja rregullative do të kenë IBAN të dedikuar dhe të gjithë qytetarët do të mund të pranojnë pagesa.

Me Draft-ligjin i ri për Sistemin e Pagesave, që është në proces të finalizimit, edhe institucionet financiare jobankare do të kenë të drejtë qasje në sistemin e kliringut të pagesave me vlerë të vogël, në kuadër të Sistemit Kombëtar të Pagesave, duke ju mundësuar kështu të jenë konkurrues dhe efektiv në procesin e qarkullimit të pagesave në vend.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës falënderon për bashkëpunimin sistemin bankar për fleksibilitetin dhe azhurnitetin e treguar për konvertimin automatik të të gjitha llogarive të skemave sociale dhe pensionale, duke respektuar sugjerimin e BQK-së që ky proces të mundësohet dhe kryhet pa nevojën që secili qytetar që i takon grupeve të cenueshme të paraqitet fizikisht në zyrat bankare. Kjo ka evituar procedurën e tillë dhe paraqet një model të partneritetit dhe bashkëpunimit të nevojshëm.

 

 

Powered by WordPress