Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Albin Kurti dhe sundimi i ligjit në vakum?

Albin Kurti dhe sundimi i ligjit në vakum?

Shkruan: Besa Ismaili

Jo çdo here zgjidhja e çështjeve bëhet përmes zbatimit të ligjit. Madje as në shoqëritë më të avancuara ku sundon rendi dhe ligji, fuqizimi i ligjit pa arsyeshmëri politike nuk ofron zgjidhje.

Shpesh është realiteti në terren konfirmuesi/demantuesi më i mire i arsyeshmërisë ligjore. Mbi këtë arsyeshmëri pata gjykuar edhe krizën “targat” aso kohe, (e që doli të kisha të drejtë) kur shumë kush ishte ende i rezervuar dhe i druante reagimit të opinionit publik.

Kur flasim për zbatim të ligjit/rregullit, juristët e dinë që arsyeshmëria ligjore i ka pesë elementë themelorë:

1. Çështja – për çfarë është fjala?

2. Ligji/rregulli – cili ligj rregullon çështjen?

3. Faktet – cilat fakte janë relevante për çështjen?

4. Analiza – zbatimi i rregullit në faktet

5. Përfundimi – pasi është zbatuar rregulli në fakte, cili është rezultati, çfarë po arrihet?

Kur shohim sot pasojat e krizës ‘Targat’ që kryeministri Kurti e inskenoi dhe rezultati përfundimtar ishte jetësimi de facto i super zajednicës me daljen e serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës, qytetarët me të drejtë shqetësohen sot se çfarë do të sjellë pas vetes kriza që po vjen e po zë vend, kriza ‘Dinari’.

A është kriza më e re ‘Dinari’ vertetë sovranizim apo është një tjetër shkëputje e vegëzave të fundit që mbajnë veriun e Kosovës të lidhur për Kosovën, ashtu siç bëri me targat, do të kuptojmë për pak kohë, sigurisht.

Por ajo që është vetevidente sot, dhe u kuptua përtej çdo dyshimi, është që përdorimi i targave RKS në veriun e Kosovës nuk përbën kurfarë ushtrimi të sovranitetit të shtetit të Kosovës në veri.

Armatimi, droga, terrorizmi i sponzoruar serbo rus në veri realizohen dhe transportohen sot edhe me automjete me tabela RKS, sa kohë që është më jetike të dihet kush është drejtuesi i automjetit dhe drejtimi i tij. Ato edhe tregtohen në € pa asnjë rezistencë sigurisht, sikur që edhe vazhdojnë transaksionet financiare nga Serbia në dinarë për paga, pensione, pensione invalidore, bursa studentësh, etj.
Por cila është çështja këtu?

Dhe pse bashkësia ndërkombëtare edhe njëherë, sikur edhe në rastin “Targat” kërkon shtyerje të këtij vendimi?
Pse, fundja fare, kryeministri Kurti erdhi deri te ky vendim tani në këto momente?!

Përgjigjet janë të qarta dhe krejt të thjeshta, e ato më së miri i ilustron situata në terren: kryeministri Kurti as nuk është i interesuar të përmirësojë situatën në veri dhe as të respektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Republikës së Kosovës.

Sikur të kishte interes për tërësinë e Kosovës, sot serbët do t’i mbante të integruar brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, duke marrë pagat € në valutën e njësuar monetare në Kosovë.

Sikur të ishte i interesuar për kushtetutshmërinë, rendin dhe ligjin, nuk do ta shkilte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhjetëra here tani, dhe do zbatonte vendimet që kanë dalur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Në gjendjen aktuale, me Marrëveshjen e Ohrit, kryeministri Kurti është pajtuar që Serbia mos të njohë Kosovën, madje kërkoi të ndahet procesi i anëtarësimit në BE nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, gjë që i mundëson Serbisë integrim më të shpejtë dhe të pakushtëzuar në raport me Kosovën në BE.

Prandaj, tërë shoqëria duhet të jemi në alarm dhe vigjilentë se çfarë po ‘na shet’ sot kryeministri, respektivisht çfarë ‘po blen’ Serbia me krizën më të re të tij ‘dinari’.
Kontrolli shtetëror, me theks financiar, nuk bëhet përmes pykave dhe detyrimeve me forcë, por përmes marrëveshjeve politike të bazuara në arsyeshmëri politike dhe jo vetëm arsyeshmërisë ligjore.

Sepse kësisoj, siç ia kanë mësyer Albin Kurti dhe Besnik Bislimi, në Bruksel kriza “dinari” Serbisë do t’i sjellë një tjetër epërsi ndaj Kosovës.
Krejt kjo në këmbim të një grusht shtesë duartrokitjesh të përjargëta të turmës.

Pa integrime, pa sovranizim, pa zgjidhje.

 

Powered by WordPress