Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Borxhet që po e demantojnë retorikën e pushtetit për zhvillim ekonomik

Borxhet që po e demantojnë retorikën e pushtetit për zhvillim ekonomik

Prej se ka ardhur në pushtet Albin Kurti në vazhdimësi është krenuar se si me politikat e tij të subvencioneve ka ndikuar në promovimin e politikave sociale dhe zhvillimit ekonomik.

Po ashtu, çdo shpërndarje e skemave të tilla është shoqëruar me arsyetimin se në dallim nga e kaluara që pasuroheshin pak individë të lidhur me pushtetin, falë rolit të tij gjeneroz në shpërndarje të parav, po pasurohen shumica e qytetarëve.

Madje në disa raste në fund të vitit të kaluar ka përmendur se si kjo qeveri ka shpërndarë deri në 842 milionë euro për familjet dhe qytetarët e Kosovës. Një pako e tillë, sipas Kurtit ka mbetur pa u vlerësuar edhe nga Banka Botërore si më e madhja në rajon për përballim të inflacionit dhe krizës energjetike, për nga përqindja e Bruto Produktit Vendor.

Hiq më larg se në fund të vitit të kaluar ekzekutivi tregonte se si falë kësaj qasje ishin ekzekutuar deri në 140 milionë euro pagesa në llogaritë bankare të qytetarëve, duke përfshirë edhe shtesat prej 100 eurove për fëmijët nën moshën 16 vjeçare.

Mirëpo, të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilat u prezantuan para pak dite edhe nga Instituti GAP, tregojnë më mirë se asgjë tjetër, se pse kjo formë e mbështetjes qeveritare praktikisht nuk ka prodhuar efekte pozitive ekonomike.

Sipas këtyre statistikave “gjendja e mbitërheqjeve nga bizneset dhe ekonomitë familjare në fund të dhjetorit 2023 ishte rreth 472 milionë euro, apo për 57 milionë euro (13.7%) më e lartë se në dhjetor 2022. Veçmas pas vitit 2020, vërehet një rritje e ndjeshme e kësaj kategorie”.

Në këtë kontekst, shtrohet një pyetje mbase logjike, se pse pikërisht në kohën kur kjo qeveri është treguar më dorëlirë në raport me qytetarët nëpërmjet subvencioneve, paralelisht është shtuar edhe borxhi i tyre nëpër institucioneve të ndryshme financiare në vend.

Fakte këto që më mirë se asgjë tjetër i demantojnë arsyetimet e pushtetit se si falë masave të tyre ekonomike, shumica e qytetarëve kanë përfituar më shumë se asnjëherë tjetër. Ngase shtimi i borxheve e dëshmon të kundërtën.

Ndërkohë për një anomali të tillë shumë kohë më parë pat alarmuar edhe ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti aktual i LDK-së, Avdullah Hoti.

Në një fjalim gjatë një seance plenare ai pat deklaruar se nëse e krahasojmë vitin 2017 me vitin 2022 investimet kapitale kanë rënë nga 36 % në 16 % , si shpenzim real dhe jo si planifikim. Ndërkaq, subvencionet nga 23 % janë rritur në 41 %. Dhe kjo është arsyeja që nuk shohim zhvillim real ekonomik, por vetëm rritje masive të subvencioneve.

Në këtë kontekst, si pasojë e dëmtimit të strukturës së buxhetit kemi ardhur në atë situatë ku shpenzohen edhe financat e buxhetit dhe rriten borxhet e qytetarëve. Ndërkaq përfitues të vetëm mbase mund të jenë vetëm bankat, nga kjo situatë.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

Powered by WordPress