Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që është edhe nënkryetar i partisë shqiptare BDI ka komentuar përfshirjen e mundshme të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë vend.
Ai në RTV Dukagjini ka thënë se këshilltari i Albin Kurtit Bekim Qoku është një anonimus në Maqedoni dhe se sipas tij kryeministri i Kosovës është distancuar nga deklaratat e tij.
“Nëse deklarata e Qokut do të ishte në cilësinë e këshilltarit të Kurtit, do të ishteproblematike dhe do të duhej sqaruar. Por liderët e Kosovës e përshëndeten emërimin e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoni”, ka deklaruar Osmani.
Ndryshe, Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur kritika ndaj kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Sipas Qokut, Xhaferi, i cili ka shërbyer si komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), nuk ka bërë një hap që do ta kualifikonte si shqiptar autentik – kjo pasi sipas tij, Xhaferi do duhej të kishte bërë homazhe si gjest të parë simbolik në respekt të dëshmorëve të konfliktit të vitit 2001.
“Talat Xhaferi, si kryeministër teknik, do të quhej shqiptar, sikur të paktën si gjest të parë prej kryeministri, të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të rënë në konfliktin e vitit 2001, ku do të shprehte mirënjohje dhe respekt, sepse pa sakrificën e tyre, pa gjakun e derdhur të tyre, kjo arritje simbolike nuk do të ishte aspak e mundur”, shkroi Qoku./Telegrafi/
