Sa i përket vendimit të BQK-së për heqjen e dinarit si valutë në Kosovë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri ka folur rreth kësaj.
Ai tha se si çdo qytetarë i Kosovës që shërbehet me euro, ashtu duhet të veprojnë edhe serbët e Kosovës.
“Kur të kryejnë obligime këtu, qoftë për shpenzime, për shërbime publike, qoftë për shitblerje, qoftë në tregti të shërbehen në euro, siç shërbehet çdo qytetarë i Kosovës”, tha Shatri në Info Magazine të Klan Kosovës.
Sa i përket këtij vendimi, Shatri tha se një gjë e tillë është vonuar.
“Unë mendoj se vendimi apo udhëzimi administrativ që ka nxjerr Banka Qendrore është vendim i rregullt dhe mendoj që është vonuar”.
Po ashtu ai tha se një valutë e veçantë nuk ka të drejtë ekskluzive të përdoret në mënyrë paralele me valutën zyrtare.
“Në asnjë vend në botë, e sidomos në vendin tonë nuk shkruan se një valutë e veçantë ka të drejtë ekskluzive të përdoret paralel me valutën zyrtare të vendit”, tha ish-ministri.
Më tutje Shatri tha se valuta dinar është toleruar deri në një periudhë të adaptimit të qytetarëve që e kanë përdorur ose janë detyruar ta përdorin.