Kurrë më shumë se kohën e fundit nuk ka nuk kanë zënë vend paralajmërimet për një luftë të mundshme të shteteve perëndimore me Rusinë. Para pak dite kreu i ushtrisë britanike, gjenerali Sir Patrick Sanders, po ashtu i ka paralajmëruar qytetarët britanikë që të përgatiten për një luftë të mundshme me Rusinë, duke nënvizuar se ata vetë mund të kenë nevojë të mobilizohen.
Gjenerali theksoi se mësimet e luftërave të mëparshme duhet të mbahen mend përpara se të jetë vonë. Ndërkohë, një thirrje të tillë për qytetarët suedezë e bënë edhe dy shefat e mbrojtjes së këtij shteti, duke pohuar se qytetarët e këtij vendi duhet të përgatiten për luftë eventuale me Rusinë.
Ndërkohë, sipas gazetës së njohur gjermane Bild, duke u bazuar në një dokument sekret, Rusia e ka në plan të sulmojë në skajin lindor të NATOS-së pas një kundërofensive të suksesshme në Ukrainë dhe tërheqjes pas të ushtrisë ukrainase deri në qershor të vitit 2025.
Mirëpo, ajo që e bënë më alarmante situatën mbetet kërcënimi apokaliptik që presidenti rus, Vladimir Putin u kishte bërë vendeve NATO-së që kur kishte nisur pushtimin e Ukrainas. Me anë të një paraqitje televizive ai kishte paralajmëruar botën për “pasoja me të cilat nuk jeni përballur kurrë në historinë tuaj”, nëse dikush do të përpiqej ta ndalonte Rusinë.
Humbjet e mëdha të Rusisë gjatë agresionit kundër Ukrainës po nënkuptojnë që Moska tani po i sheh armët taktike bërthamore si gjithnjë e më të rëndësishme për të frenuar dhe mundur NATO-n, thuhet në një raport të ri nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, IISS.
Ndërkohë, një raport i zbulimit amerikan i deklasifikuar muajin e kaluar, vlerëson se Rusia ka humbur rreth 315,000 trupa në Ukrainë që nga fillimi i sulmit. “Rusia tani ka më pak besim në aftësitë e saj konvencionale për shkak të gjithçka që ka humbur në luftën me Ukrainën”, thotë William Alberque, autor i raportit dhe Drejtor i Strategjisë, Teknologjisë dhe Kontrollit të Armëve në IISS, shkruan Zëri i Amerikës.
Kjo do të thotë që armët bërthamore të Moskës me rreze më të shkurtër veprimi, të njohura si armë bërthamore jostrategjike ose NSNW – të prodhuara për përdorim në fushën e betejës – po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për Kremlinin, sipas zotit Alberque.“Rusia ka raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme, që lëshohen nga ajri, toka dhe deti, të afta për të goditur rajonin me mbushje bërthamore dhe në gjendje për të rrezikuar të gjithë NATO-n. Aleancës i mungon aftësia për ta balancuar kërcënimin rus”, ka përfunduar ai.
/TV Arbëria