Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po përsëritet historia me dinarin sikurse me targat?

A po përsëritet historia me dinarin sikurse me targat?

Kjo javë ashtu sikurse e kaluara është duke u shoqëruar me dallime në mes të Kosovës dhe Komunitetit Ndërkombëtar për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb në vendbanimet me shumicë serbe.

Siç dihet, popullsia në këto rajone e përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Kërkesën për shtyrje të afatit e ka përsëritur edhe sot Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, gjatë takimit që ka zhvilluar me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Diplomati amerikan ka pohuar se kërkon që të krijohet më shumë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”.

Një qëndrim të tillë dje e kishin shprehur nëpërmjet një komunikate edhe Ambasadorët e shteteve të QUNIT-it të duke bërë thirrje që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës  Albin Kurti u ka thënë ambasadorëve të shteteve të QUINT-it dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë gjatë një takimi të premten se valuta e vetme e lejuar për përdorim në transaksionet me para ta gatshme është euroja.

Po ashtu, sipas komunikatës zyrtare të Qeverisë së Kosovës, “Kryeministri e ka theksuar rëndësinë e respektimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend nga të gjithë dhe në të njëjtën kohë respektimit të autoriteteve të pavarura, në këtë rast të Bankës Qendrore”.

Këto dallime sa i përket kërkesave për vendimin për (mos)shtyrjen e afatit për këtë rregullore në shumë çka formalisht ta përkujtojnë dallimet që ekzistonin për vendimin e Qeverise së Kosovës për afatin e regjistrimit të makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Natyrisht, ekzistojnë dallime në mes këtyre dy vendimeve. Sepse ai më shumë kishte të bënte vetëm në pjesën veriorë dhe jo në të gjitha vendbanimet banuara me serbë.

Kurse ai vendim ishte nxjerrë nga Qeveria për dallim nga rregullorja e BQK që është nxjerrë nga një institucion tjetër kushtetues.

Mirëpo, edhe atë kohë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian patën kërkuar që ai afat të shtyhet të paktën edhe për 10 muaj. Po ashtu si Uashingtoni dhe Brukseli patën shprehur “zhgënjim me vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë, kjo e fundit ishte pajtuar vetëm për zbatimin të këtij vendimi me faza, por nuk e kishte pranuar rekomandimin që ky afat të jetë 10 muaj.

Me këtë rast për shkak të këtij refuzimi serbët në pjesën veriore dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Në fakt kjo dorëheqja masive e tyre erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Këto zhvillime ndikuan në shtimin e tensioneve në pjesën veriore, të cilat e arritën kulmin me 24 shtator, kur grupe të armatosura nga Serbia sulmuan policinë e Kosovës, në fshatin Banjske. /TV Arbëria

 

Themes by WordPress