Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka njoftuar se është takuar me Guvernatorin e Bankës Qëndrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.
Në llogarinë e tij në X, Hovenier tha se ai përsëriti shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me vendimin e BQK-së sa i përket ndalimit të dinarit serb.
“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, tha Hovenier.
Kujtojmë se Departamenti amerikan i shtetit, përmes një zëdhënësi të tij, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë vendimin e Bankës Qendrore për pezullimin e dinarit serb. Thirrja erdhi pak ditë pas vendimit të Bankës Qendrore për heqjen nga tregu të dinarit serb dhe pas reagimeve edhe të Bashkimit Evropian, i cili kërkoi që për këtë çështje të flitet në Bruksel.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.