Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > “Gjermanisë i duhet një ‘kafe e mirë’ për t’u reformuar”, thotë ministri gjerman i Financave, Lindner

“Gjermanisë i duhet një ‘kafe e mirë’ për t’u reformuar”, thotë ministri gjerman i Financave, Lindner

Ministri i Financave gjerman, Christian Lindner, ka thënë se Gjermania nuk është “e sëmura e Evropës”, por thjesht “pak e lodhur”. Lindner e ka karakterizuar këtë situatë si një thirrje për veprim dhe ka theksuar se vendi është në fillim të një epoke të re reformash
“Gjermania nuk është e sëmura e Evropës; është vetëm pak e lodhur”, ka thënë ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.

Fraza “e sëmura e Evropës” i referohet një vendi në kontinent që përjeton vështirësi ekonomike, trazira sociale apo varfërim.

Ekonomia e Gjermanisë – më e madhja në Evropë – është tkurrur për 0.3 për qind vitin e kaluar.

Ministri gjerman e ka cilësuar këtë si “thirrje për veprim” dhe, pa ofruar shumë detaje, ka thënë se Gjermania është “në fillim të një epoke të re reformash”.

“Ajo që i duhet Gjermanisë tani, është një kafe e mirë, që do të thotë reforma strukturore”, ka thënë ai.

Gjermania është bërë e njohur si “e sëmura e Evropës” në fund të viteve 1990, kur ekonomia e saj është lëkundur dhe papunësia është rritur.

Për rrjedhojë, ajo ka ndërmarrë një varg reformash në tregun e punës dhe ekonomia e saj ka lulëzuar në dekadën pas krizës globale financiare të vitit 2008.

Tkurrje ka pasur në vitin 2020, për shkak të pandemisë COVID-19, dhe vitin e kaluar. Tani, sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Gjermania pritet ta ketë rritjen më të ngadalshme ekonomike këtë vit, në mesin e 20 vendeve më të industrializuara të botës. Më keq se ajo pritet të jetë vetëm Argjentina.

Por, ky nuk është problemi i vetëm i saj – 2024-shin, Gjermania e ka nisur me protesta masive të bujqve dhe greva në transport. Të gjitha kanë për bazë shkurtimin e subvencioneve nga Qeveria dhe mosmarrëveshjet për paga.

“Ne, si bujq, është dashur të durojmë shumë shkurtime, të të gjitha llojeve, në vitet e fundit. Vetëm na janë dorëzuar urdhra e rregullore. Shkurtimet e paralajmëruara për naftën në bujqësi janë kulmi”, ka thënë Ralf Hickmann, një bujk gjerman, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Shkurtimet janë planifikuar për të zgjidhur një krizë buxhetore, pasi Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur në nëntor të vitit të kaluar se buxheti i Qeverisë për vitin 2024 ka qenë i paligjshëm.

Kjo situatë, përveçse ka shkaktuar grindje në Qeverinë e udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz, ka nxitur edhe frikë se mund ta rrisë popullaritetin e ekstremit të djathtë.

Javën e kaluar ka pasur protesta masive në Gjermani kundër partisë anti-migrante Alternativa për Gjermaninë, shkruan REL.

“Ne duhet ta rrisim vetëdijen te bashkëqytetarët tanë se diçka nuk shkon. Unë besoj se nëse ushtrohet presion i mjaftueshëm në rrugë, kjo gjithashtu do t’i motivojë politikanët që të veprojnë dhe të mos heshtin, siç kanë bërë deri më tash”, ka thënë për agjencinë Reuters Ulrike Hartmann, protestuese kundër ekstremit të djathtë.

Powered by WordPress