Rithemelimi ka mbajtur këtë të shtunë protestën e radhës në rrugën “Mustafa Matohiti”, poshtë banesës së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.
Në fjalën drejtuar të pranishmëve nga dritarja e banesës, Berisha, hodhi akuza për kapje të sistemit të drejtësisë nga kryeministri Rama, raporton euronews.al.
Ish-kryeministri nënvizoi se “Rama vendosi në kontroll të plotë drejtësinë me ndihmën e superspekulantit të planetit, monstrës Xhorxh Soros”.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të zjarrta, mirënjohjen më të pakufishme për sakrificën tuaj. Por e vërteta mbrohet vetëm me sakrifica. Dhe ju në këtë rrugë po mbroni të vërtetat më të mëdha të njeriut, të qytetarit, të atdhetarit, po mbroni të vërtetat më të mëdha të shoqërisë, të kombit dhe vendit tone”, tha Berisha.
“E vërteta është se Edi Rama arriti të zëvendësojë thelbin e këtij sistemi me narkoshtetin, me regjimin e bandave, krimit, vjedhjes së papërmbajtur të shqiptarëve. Në këtë arritje, Edi Rama së pari ia doli që në Shqipëri të vendosë një raport shkatërrimtar për lirinë, për demokracinë, për dinjitetin e shqiptarëve, raportin e shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim”.
“Të dashur miq, pa votën e lirë nuk ka të ardhme, pa votën e lirë nuk ka dinjitet, pa votën e lirë nuk ka prosperitet, pa votën e lirë nuk ka zhvillim. Edi Rama, pas kontrollit të plotë të votës së lirë, vendosi në kontroll të plotë, me ndihmën e superspekulantit të planetit, monstrës Xhorxh Soros, sistemin e drejtësisë”.
“Sot Shqipëria e Edi Ramës ka një drejtësi po aq të kontrolluar dhe shumë herë më të korruptuar se sa drejtësia që kishte Enver Hoxha. Them të korruptuar në para, se politikisht edhe ajo dhe kjo, janë dy drejtësitë më të korruptuara që ka pasur Europa ndonjëherë. De facto, Edi Rama vendosi nën kontroll drejtësinë dhe pothuajse e asgjësoi atë për qytetarët shqiptarë”.
“Për një vendim në gjykata, sot një qytetar i duhet të presë 15-20 vite. Për një dhunim të drejte, në kërkim të të drejtës së tij, sot një qytetar duhet të paguajë ryshfet qimet e kokës për prokurorët dhe gjyqtarët e vetuar nga partia, që nuk kanë ligj e as moral. Sot shqiptarët janë kombi i vetëm që kanë humbur në mënyrë të tmerrshme të drejtën e një procesi ligjor të drejtë. Për të sjellë një çështje në gjykim, duhet të paguajnë qimet e kokës ryshfet. Për të fituar të drejtën, duhet të paguajnë tre herë më shumë”, tha Berisha.