Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Këshilltari i Kurtit: Talat Xhaferi do të quhej shqiptar sikur të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve

Këshilltari i Kurtit: Talat Xhaferi do të quhej shqiptar sikur të bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve

Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur kritika ndaj kryeministrit të ri të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Sipas Qokut, Xhaferi, i cili ka shërbyer si komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), nuk ka bërë një hap që do ta kualifikonte si shqiptar autentik – kjo pasi sipas tij, Xhaferi do duhej të kishte bërë homazhe si gjest të parë simbolik në respekt të dëshmorëve të konfliktit të vitit 2001.

Ndërkohë, Xhaferi u emërua si udhëheqës i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që merr postin e kryeministrit në historinë e këtij shteti.

Ai fitoi mbështetjen e Kuvendit me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim nga deputetët e pranishëm.

Talat Xhaferi është kryeministër i Maqedonisë

Ngjarja shënon një pikë kthese për pjesëmarrjen politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, megjithëse VMRO-DPMNE dhe opozita shqiptare nuk morën pjesë në votim.

Fillimi i mandatit të Xhaferit si kryeministër teknik ka ndezur një premtim të fortë për të mbajtur Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj euro-atlantike, duke u përkushtuar në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe SHBA-në, drejt synimeve të përbashkëta të avancimit dhe stabilitetit rajonal.

Xhaferi në postin e kryeministrit zëvendëson liderin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski, i cili ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, bazuar në ligjin për zgjedhje, i cili parasheh që 100 ditë para zgjedhjeve paralametare të emërohet një qeveri teknike që do të përkujdeset për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve./Telegrafi/